SHBA - “5 mijë dollarë kush i shkul një fije floku Clinton”, burg për Martin Shkrelin
14/09/2017 - 8:12

Një gjykatë amerikane ka urdhëruar burgimin e Martin Shkrelit, me akuzën se ai ofroi 5,000 dollarë në Facebook për një fije floku të zonjës Hillary Clinton. Shkreli, i njohur ndryshe si “njeriu më i urryer në Amerikë” është i njohur për skandalin e rritjes së çmimeve të ilaçeve dhe ndaj tij rëndojnë disa akuza për mashtrim.

Martin Shkreli, i njohur ndryshe si “njeriu më i urryer në Amerikë”, është urdhëruar të burgoset në Nju Jork ndërkohë që ai pret dënimin e tij për mashtrim të letrave me vlerë. Një gjykatës vendosi burgimin e Shkrelit, me akuzën se ky i fundit ofroi një shpërblim prej 5,000 dollarësh në Facebook për një fije floku të Hillary Clinton.

Ish-shefi i kompanisë farmaceutike Turing do të qëndrojë në burg nën akuzat për tre mashtrime, teksa gjykata vendosi të mbështesë kërkesën e qeverisë për t’i mohuar Shkrelit lirimin me kusht. Pavarësisht përpjekjes së avokatëve të tij për ta paraqitur postimin si satirë, prokurorët thanë se ai përbën rrezik për ndjekësit e tij në mediat sociale, të cilët i marrin seriozisht të tilla deklarata apo oferta.

34-vjeçari me origjinë shqiptaro-kroate është i njohur për skandalin e çmimeve të ilaçeve, pasi ai rriti me 5,000% çmimin e një ilaçi të përdorur nga pacientët që kanë bërë transplante apo kanë sëmundjen e SIDA-s. Shkreli gjithashtu njihet edhe për gjuhën tallëse që përdor kundër kritikëve të tij në mediat sociale. Ai u shpall fajtor në gusht me akuzat se kishte mashtruar investitorët në dy fonde të dështuara të cilat ai drejtonte.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Trafikantët e drogës-policit: Ju tregoj unë çfarë të bëni tani

Close