Bisedimet - Nisin negociatat Brexit, Merkel: Marrëveshja në interes të të dyja palëve
19/06/2017 - 19:16 Nga: Anjola Hamzaj

Nisin zyrtarisht negociatat për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Kryenegociatorët nga të dyja palët theksuan nevojën për të trajtuar me shpejtësi pasiguritë në proçes dhe nënvizuan qëndrimin e tyre konstruktiv për të arritur një marrëveshje që është e mirë për të gjithë. Kancealerja gjermane, Angela Merkel, në një reagim për çështjen tha se kërkonte një marrëveshje në interes të të dyja palëve.

Kryenegociatorët e brexit nga të dyja palët,  të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe, nisën  bisedimet të hënën, duke theksuar nevojën për të trajtuar me shpejtësi pasiguritë në proçes dhe nënvizuan qëndrimin e tyre konstruktiv për të arritur një marrëveshje që është e mirë për të gjithë.

Duke folur përpara ditës së parë të bisedimeve në Komisionin e BE, Ministri britanik i brexit, David Davis, tha se Londra kërkon një marrëdhënie të thellë dhe të veçantë me BE pas divorcit dhe se ai do të zhvillonte bisedimet me një ton konstruktiv.

Davis paralajmëroi se tashmë po nis një kohë sfide, por shtoi se të dyja palët do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje që “punon në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve”.

Kurse Michel Barnier i Bashkimit Evropian tha se shpresonte që bisedimet, të cilat nisën një vit pas referendumit që vulosi daljen e Britanisë së Madhe nga unioni, do të vendosnin një afat kohor për negociatat.

Kancealerja gjermane, Angela Merkel, në një reagim për çështjen tha se kërkonte një marrëveshje në interes të të dyja palëve.

Gjatë një konference për mediat pas një takimi me Presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis, Merkel u shpreh:

“Dua që ne të arrijmë një marrëveshje të mirë dhe kjo duhet të jetë në interes të të dyja palëve. 27 vendet e Bashkimit Europian do ti formulojnë qartë kërkesat e tyre dhe me shpresë edhe së bashku. Por është shumë herët për të spekuluar mbi detaje që në ditën e parë të negociatave”.

Qëllimi i takimit të parë të negociatave një vit pasi Britania shokoi me vendimin e saj  ishte shmangia e tensioneve dhe krijimi i një klime të mirë.

Të enjten do të mbahet edhe Samiti, ku do të jetë e pranishme edhe kryeministrja Theresa May, por jo në rolin e negociatores, i cili mund të përcaktojë edhe linjat e para të një marrëveshje.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close