Zyrtari i policisë turke në Tiranë, diskutohet lista me "Gylenistët"

Zyrtari i policisë turke në Tiranë, diskutohet lista me

Guvernatori dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë i Republikës së Turqisë i shoqëruar nga një delegacion zyrtar zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë shqiptare Haki Çako. Zyrtarët diskutuan për luftën kundër terrorizmit, ndërsa jo zyrtarisht, mësohet se temë e diskutimeve ka qenë edhe një listë me personat mbështetës të Fetullah Gylenit kundërshtar i Erdoganit, për të cilët Turqia ka kërkuar masa shtrënguese, ekstradim dhe verifikim të akrivitetit të tyre ekonomik.

Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar kanë qenë në qendër të bisedës në takimin mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Shqiptare Haki Çako me zyrtarët e sigurisë së Turqisë.

Kreu i policisë shqiptare priti në takim një delegacion të Lartë të Policisë Turke të kryesuar nga Selami Altinok, Guvernator dhe Drejtor i Përgjithshëm i Sigurisë i Republikës së Turqisë.

Çako dhe Altinok kanë vlerësuar bashkëpunimin për parandalimin dhe goditjen e terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Jo zyrtarisht mësohet se pjesë e diskutimeve ka qenë edhe një listë që pala turke ka shpërndarë në Shqipëri dhe shtete të tjera me personat e akuzuar për lidhje me grushtin e shtetit në Turqi.

Çako: Në emër të Policisë së Shtetit ju shpreh mirënjohjen e thellë lidhur me çdo mbështetje, e në mënyrë të veçantë, me kontributin që i është dhënë Policisë së Shtetit në arsimimin policor, por edhe me vazhdimin e specializimeve që bëjnë oficerët e Policisë Shqiptare në Akademinë e Turqisë.Keni treguar se pavarësisht nga gjuha, misioni dhe qëllimi ka qenë i njëjtë, ndaj dhe operacionet e përbashkëta kanë pasur sukses të padiskutueshëm dhe të vlerësuar nga partnerët tanë.

Dy drejtuesit kanë nënvizuar gatishmërinë që ashtu si me vendet e tjera të Ballkanit, të thellojnë edhe më tej luftën kundër elementëve radikalë.

Krerët e instuitucioneve ranë dakord që të orientohen qartazi drejt partneritetit në të gjitha vendet e rajonit, si dhe në një front në luftë kundër të gjithë këtyre fenomeneve që shqetësojnë dhe cënojnë sovranitetin dhe sigurinë kombëtare.

Ata theksuan vendosmërinë për të kontribuar maksimalisht në parandalimin e çdo lloj iniciative dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore çdokënd që shkel dhe cënon sovranitetin ose sigurinë e kombeve.

Altinok: Jam tepër i lumtur që si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Turke ndodhem këtu në Shqipëri, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shqiptare.
Unë uroj dhe dëshiroj që kjo vizitë të kontribuojë shumë në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit që vazhdon prej një kohe të gjatë midis dy Drejtorive të Përgjithshme të dy insititucioneve tona. Marrëdhëniet tona po vazhdojnë në të gjitha fushat në një mënyrë të përkryer.

Ka patur një bashkëpunim shumë të mirë dhe intensiv në fushën e trajnimeve midis dy Drejtorive të Përgjithshme.

Në fund të takimit, Altinok ka shprehur kërkesën që gjatë vitit 2018 të mblidhet në Turqi Komisioni i Përbashkët për Sigurinë, kërkesë që u mirëprit dhe u vlerësua si shumë e vlefshme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Vetëm pak javë më parë një shtetas i kërkuar nga Turqia për thirrje publike në mbështetje të grushtit të shtetit në Turqi, u la i lirë nga gjykata në Durrës ndërsa po shqyrtohet ekstradimi i tij në Turqi.

/Oranews.tv/

EMISIONET