Zoti Tajani, ‘lufta civile’ dhe demokracia në Shqipëri

Zoti Tajani, ‘lufta civile’ dhe demokracia në Shqipëri

Një ditë pasi delegacioni i Parlamentit Evropian erdhi në Tiranë, kreu i PE-së, Antonio Tajani, në OKB, përmendi Shqipërinë si një vend në rrezik për “luftë civile”.  Shqipëria, si dele e zezë përmendet mes disa temave të bisedës së tij me Sekretarin e OKB-së, Antonio Guterres, ku folën për Venezuelën, Mesdheun dhe çështjen e migrantëve, Afrikën dhe luftën kundër terrorizmit, klimën dhe konfliktin Indi- Pakistan. 

Kjo është situata që delegacioni i 7 eurodeputetëve kanë përcjellë tek shefi i tyre.  “Situata (në Shqipëri) është shumë e vështirë. Është “luftë civile” (në thonjëza) midis qeverisë dhe opozitës. Kjo është shumë e rrezikshme për stabilitetin”, deklaroi Tajani. Nuk do të merresha me teprimin e presidentit  Tajani për ta përshkruar Shqipërinë në situatë lufte, por me problemin tonë.      

Sigurisht, që është një klishe, që e përdorin të huajt për Shqipërinë, e krijuar nga disa precedentë, si trazirat e vitit 1997, kryengritja e vitit 1998 dhe 21 janari 2011, që e kanë brenda potencialin për konflikt civil, apo luftë civile. Për fat nuk jemi në luftë civile, me gjithë dëshirën e qeverisë dhe të opozitës për të aplikuar skenar si të Maduros në Venezuelë, sa herë që u rrezikohet pushteti dhe korrupsioni dhe zullumi arrijnë kulmin. “Zgjidhja” e paralajmëroi skemën që do të përdorte ky kryeministër në bashkëpunim me dy partitë e vjetra në opozitë, për të tensionuar situatën dhe për të shmangur nga axhenda reformën elektorale, në interes të sundimit tripartiak dhe shmangies së funksionimit të drejtësisë. Po të shohim ato tri ngjarje, kur kemi qenë në buzë të humnerës, do të kuptojmë se janë të njëjtët aktorë, e njëjta skemë politike, që përjashton demokracinë (ndarje pushteti në tavolinë në vend të zgjedhjeve të lira) dhe shmang përgjegjësinë penale të qeveritarëve (amnisti e korrupsionit dhe anulim i reformave në drejtësi për gjykata dhe prokurori të pavarura).

Por nga ana tjetër, zoti Tajani, shtron gabim problemin dhe na çon tek zgjidhja e gabuar. Ai flet për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan (zgjidhja), që te qeveritë autokrate dhe diplomatët evropianë, do të thotë ndihmë për të ruajtur statusquo-në.  Kjo zgjidhje është e gabuar, sepse premisa nuk është e saktë. Mbas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Antonio Tajani, presidenti i Parlamentit Europian, tregoi në konferencën e shtypit se “Ballkani është një çështje me të cilën ne merremi vazhdimisht. Stabiliteti i Ballkanit është po ashtu stabilitet i Europës”. Kryetari i PE-së thotë po ashtu se në Ballkan ”duhet të shohim çfarë investimesh vijnë nga jashtë rajonit. Aty bëhen investime me diferenca të ndryshme, jo vetëm europiane, por edhe ruse, arabe dhe turke. Kjo është lojë e vështirë”. Pra, Tajani merret me shkaqet gjeopolitike, kur në fakt problemet, konkretisht në Shqipëri, janë të sistemit demokratik, kanë të bëjnë me zgjedhjet e lira. Edhe nëse ka ndikime të fuqive të treta, ato shmangen, po të ketë sovranitet të popullit që realizohet me zgjedhjet e lira. Ja një shembull i thjeshtë, që vjen nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Aty u bënë zgjedhje, sipas statutit të tyre, dhe kryetari dha dorëheqjen. Sipas opinioneve, kreu i sapozgjedhur nuk i përket as grupit të ndikuar nga Erdogani (i cili ndikon drejtpërsëdrejti me fondet për ngritjen e xhamisë), as qeverisë e cila dëshironte një kandidat që t’i bënte fresk gjatë fushatave elektorale. Pra, ilaçi për vendet e Ballkanit është vetëm forcimi i demokracisë, sepse te zgjedhjet lindin institucionet.  Në të kundërt, ruajtja me çdo kusht e stabilitetit, do të thotë zgjatje e sundimit të kryeministrit Rama dhe dy partive të vjetra që presin të riciklohen në pushtet përmes rrotacionit.  

Eshtë e vërtetë se stabiliteti i Ballkanit është i rrezikuar, ashtu si e përmend presidenti Tajani, por edhe për mbrojtjen e rajonit nga konfliktet dhe luftërat, nuk ka ilaç më të mirë se sa demokracia dhe forcimi i shqiptarëve. Dje shqiptarët e Tuzit në Malin e Zi u bashkuan dhe pas një shekulli morën pushtetin e Malësisë. A dobësohet Mali i Zi nga shqiptarët? Jo. Ata janë shtylla e stabilitetit të këtij shteti. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe preshevarët. Po të bashkohen do të kenë tre deputetë në Parlamentin e Serbisë, ku jetojnë jo pak, por mbi 200 mijë shqiptarë. Nacionalistët serbë dobësohen nga ky bashkim i shqiptarëve, nga ky avancim në të drejtat e tyre dhe forcohet krahu liberal dhe forcat që duan të lënë pas konfliktet e hapura nga Millosheviçi. Shqiptarët po pyeten dhe po vendosin për presidentin e Maqedonisë së Veriut, sepse Zaev po demokratizon politikën. Nëse do të vazhdohej me kursin e opozitës së atjeshme, shqiptarët dhe maqedonasit rrezikonin një konflikt të ri të armatosur. Çfarë ka bërë Europa për stabilitetin e Ballkanit? Ka izoluar kosovarët duke mos iu dhënë lirinë e lëvizjes, ka rritur presionin e forcave anti-euroatlantike ndaj qeverisë së kryeministrit Haradinajt, duke mbështetur tezën e ndryshimit të kufijve. Pra, edhe për të rritur e garantuar stabilitetin e rajonit, zoti Tajani, është thelbësore të kuptoni se shqiptarët duhet të vendosen në rolin dhe peshën që u takon.

Gjithsesi zoti Tajani duhet falënderuar që i bie ziles së alarmit për politikën shqiptare, por recetën e zgjidhjes, shqiptarët këtu, në Kosovë dhe në trojet etnike, e kanë mësuar nga historia. Demokraci, jo statusquo! Demokraci me standarde europiane, jo luftës civile, jo regjimeve hibride, jo zgjedhjeve të përdhosura. Partia “Zgjidhja” e lexon me shumë vëmendje këtë deklaratë të Presidentit në ikje të PE-së, sepse ajo mund të nxisë radikalizimin e situatës në Shqipëri. Në këto kushte, lipset që të gjitha pushtetet e pavarura, si Presidenti i Republikës, madje edhe komunitetet fetare, të shohin mundësinë e negociimit të bisedimeve për një zgjidhje për qeveri teknike pa pjesëmarrjen e tre partive shkaktare të krizës, PS-PD-LSI, me mision reformën elektorale dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Sa më shpejt të bëhet kjo, edhe më lehtë shpërndahen retë e përplasjes civile.

EMISIONET