Tre orë luftë me flakët në Kashar, shkrumbohet fabrika e riciklimit të mbetjeve

Një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu rreth orës 10:00 të së dielës në fabrikën e riciklimit të mbetjeve jo të ngurta në zonën e Kasharit në Tiranë. 

Zjarri ishte aq i fortë se retë e tymin u bënë të dukshme në të gjithë Tiranën dhe rrethinat.

Për rreth tre orë, forcat zjarrfikëse nga Tirana dhe Vora, të ndihmuara edhe me bote uji nga ndërmarrja e ujësjellës kanalizime në Tiranë luftuan flakët e zjarrit të shkaktuara nga plastika, çka do të thotë se ndotja e ajrit në zonë është tejet e madhe.

Në vendin e ngjarjes shkuan 7 zjarrfikëse të Bashkisë së Tiranës, ndërsa prefektja Suzana Jahollari kërkoi ndihmën edhe të tre zjarrfikëseve të ushtrisë për të bërë të mundur shuarjen e flakëve. 

U kërkua ndihma e zjarrfikëseve nga Kruja dhe nga Durrësit.  Në zonë u ndërpre edhe energjia elektrike.

Banorët e zonës shprehën shqetësim për situatën duke pretenduar se zjarri rrezikonte banesat e tyre, përveç ndotjes që ishte tejet e madhe për shkak të djegies së plastikës.

Kreu i zjarrfikëses në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, deklaroi se pas fikjes së zjarrit do punohet për të përcaktuar shkaqet e tij. 

Ai shtoi se kompania nuk ka marrë masa për sistemin e mbrojtjes nga zjarri dhe madje disa herë është penalizuar.

"Eshte hera e dyte qe demtohet. Vitin e kaluar u penalizua për masat e mbrojtjes nga zjarri që nuk i mban në eficence. I ka riparuar dhe sot është e njëjta histori.

Pas afro tre orë flakët u mundën të neutralizoheshin duke mos rrezikuar bizneset aty pranë, ndërsa po punohej për shuarjen përfundimtare të tij.  

Ende nuk dihen motivet e zjarrit të madh. Ndërkohë kjo është hera e dytë që kjo fabrikë është përfshirë nga zjarri dhe në të dyja rastet ka pasur dëme të shumta materiale.  



Njoftimi i policisë Tiranë: 

Me datë 22.04.2018,  rreth orës 10:00, në Kashar,  në një magazinë ka rënë zjarr.

Menjëher në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Zjarrëfikësja ku po punohet për fikjen e zjarrit.

Si pasojë e zjarrit ka vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të zjarrit.

Shikoni të gjitha FOTOT duke klikuar këtu




EMISIONET