Me trajnerin portugez nën presion në Old Trafford pas humbjes poshtëruese 3-0  dje në shtëpi ndaj Tottenham, faqja e njohur sportive "Goal.com" ka bërë një shkrim ku sheh zëvendësuesit e mundshëm të Jose Mourinho-s tek Manchester United.

Emrat janë të njohur duke filluar nga Zinedine Zidane e deri tek Ryan Giggs. Ja kush janë kandidatët potencial për tu ulur në stolin e "Djajve të Kuq"...

Zinedine Zidane

Tekniku francez u fut në histori me Realin e Madridit duke fituar Ligën e Kampioneve 3 herë rresht, një rekord që nuk e ka bërë asnjë trajner deri më tani. Zidane, i cili për momentin nuk po drejton asnjë skuadër pasi dha dorëheqjen këtë vit nga madrilenët, shihet si zëvendësuesi ideal për stolin e United.

Mauricio Pochettino

Trajneri argjentinas ka krijuar një Tottenham mjaft të fortë, gjë që u pa dje në fitoren bindëse ndaj Manchesterit. Loja e skuadrës së tij bind dhe drejtuesit e United e pëlqejnë filozofinë e tij, por do ta kenë të vështirë t'ia rrëmbejnë londinezëve pasi argjentinasi firmosi kontratën e tij të re këtë verë.

Antonio Conte

Mund të duket si surprizë por për disa arsye, United e sheh italianin si një trajner mjaft efektiv. Conte njihet për grintën dhe motivimin tek lojtarët dhe kjo është ajo që i duhet për momentin futbollistëve të "Djajve të Kuq".

Massimilliano Allgeri

Njeriu i taktikës. Manchester United shpreson të nënshkruajë me teknikun italian, i cili po zhvillon sezone fantastike me Juventusin e tij të "blinduar". Por anglezët do ta kenë vështirë ta marrin nga "Zonja e Vjetër" pasi Allegri është i lumtur në Itali. Madje këtë verë tekniku toskan refuzoi ofertën e Realit të Madridit.

Leonardo Jardim

Sa herë që një skuadër në Angli kërkon një trajner, emri i Jardim është i pari në listë si kandidat i mundshëm për të marrë nën drejtim ekipin, dhe kjo kuptohet lehtë pse. Pavarësisht se Monaco cdo vit shet yjet e saj, tekniku portugez ka ditur ta menaxhojë situatën duke e mbajtur skuadrën në nivele të larta.

Ryan Giggs

Legjenda e United, vështirë se vjen një futbollist i tillë në ekipin e kuq. Mesfushori uellsian luajti për "djajtë" për 24 vite dhe fitoi 13 tituj kampion dhe 2 Champions League. Tifozët e dashurojnë atë, pra është një ikonë e klubit. Pavarësisht se vendosja e tij në krye të stolit është një mision i pamundur, Manchester United mund ta shohë si një mundësi në të ardhmen. Pse jo? Tifozët do të lumturoheshin nëse Giggs do të udhëhiqte klubin e tyre.

/o.b/oranews.tv/

/Ora News.tv/