Edhe pse dollari që është monedha kryesore me të cilën blihet nafta ka qenë nën 110 lekë që prej 4 muajve, çmimi i naftës në vend mbetet i lartë.Nga një vëzhgim në pikat e tregtimit të karburanteve konstatohet se një litër naftë kushton 177 lekë.Qytetarët ankohen se në treg mungojnë kontrollet dhe se e kanë të vështirë të përballojnë çmimin e naftës.

Shqiptarët vijojnë që të paguajnë naftën më të shtrenjtë në rajon edhe pse dollari prej disa muajsh është zhvlerësuar ndjeshëm.

Sipas historikut të Bankës së  Shqipërisë një dollar është këmbyer nën 110 lekë që prej muajit prill, por në vend nuk ka pasur asnjë ndikim në nivelin e çmimit.

Në pikat e karburanteve një litër naftë shitet me 177 lekë. Dollari është monedha me të cilën bëhen shitjet dhe blerjet e naftës në tregjet ndërkombëtare dhe çdo luhatje e kësaj monedhe reflektohet në çmimin e arit të zi.

Përtej kësaj, shqiptarët janë të detyruar që të paguajnë 7 taksa në një litër naftë, duke bërë që 120 lekë të jenë vetëm taksa.

Qytetarët shprehen se e kanë të pamundur që të përballojnë çmimin me të cilin shifet nafta, pasi të ardhurat janë shumë të ulta.

"Në gjithë rajonin, Shqipëria e kë më të lartë."

"Me këto rroga jo."

"Çmimi i naftës është shumë i shtrenjtë, kam 35 vjet që paguaj për këtë naftë. Më i shtrenjti në Europë, mos të themi në botë. Me koston e jetesës që është në këtë vend nuk përballohet.Do ngushtojmë bukën e gojës të hedhim naftë."

"Jashtëzakonisht i lartë, nuk përballohet dot. Shumë keq puna, me të sajume ja dalim."

Ditët e fundit në sektorin e hidrokarbureve ka nisur një aksion i cili synon që të përmirësojë cilësinë e karburanteve, të shmangë abuzimet me sasinë nëpërmjet pompave si dhe të mos lejohet asnjë subjekt që funksionon pa kupon.

Në Shqipëri operojnë gjithsej 200 subjekte në fushën e shitjes së karburanteve, ndërsa në ditët e para të aksionit ka pasur edhe disa raste të referuara në prokurori.



/Ora News.tv/