Zhvlerësimi i monedhës europiane, Malaj: Blerja e euros nga BSH, nuk është zgjidhje
Banka e Shqipërisë duhet të ndalojë operacionin e blerjes së eurove në treg për të stabilizuar kursin e këmbimit, pasi kjo nuk është një masë e qëndrueshme.
Ish-Ministri i Financave, Arben Malaj, deklaron se një masë e tillë nuk është një zgjidhje dhe vetëm do të ndikonte në shpenzimin e rezervave valutore.
Arben Malaj: Fuqizimi i monedhës kombëtare nuk mund të arrihet dhe të mbahet në nivele të caktuara vetëm me ndërhyrjet e BSH, pasi nga analiza e krizave të tilla valutore në vendet e tjera, rrezikohemi që të humbasim një pjesë të rezervës valutore, duke e përdorur për të hyrë në treg. Nga ana tjetër të mos arrijmë ta mbajmë në mënyrë të qëndrueshme euron në nivelin që parashikohej 125-126.
Në lidhje me efektet e uljes së euros, por edhe ndikimin që mund të ketë në ekonomi, Malaj sugjeron që të bëhet një studim i thellë.
Arben Malaj: Të bashkëpunojmë me eksportuesit shqiptarë, pasi të parët që e ndjejnë efektin e fuqizmit të monedhës kombëtare janë eksportuesit. Shqipëria ka një deficit tregtar të madh, ne na duhet ta rrisim eksportin. Të kemi mundësi që ata të bazohen në analizat e Bankës Qendrore për ti ndihmuar në marrëdhëniet e tyre tregtare me partnerët e tyre për ndarë riskun e kurist të kmëbimit dhe për të zvogëluar humbjet e tyre.
Aktualisht një euro po shkëmbehet me 124 lekë, norma më e ulët që prej qershorit të këtij viti.
Ndërsa pritshmëritë janë që kursi të vijojë të ulet.
Banka e Shqipërisë ndërhyri në treg gjatë qershorit për të stabilizuar kursin e këmbimit pas shqetësimit të ngritur nga eksportuesit.