Çekia përmbyll sot raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ku presidenti Milos Zeman përballet me 8 kandidatë të cilët kërkojnë ta zëvendësojnë. Votimi që me gjasa do të përfundojë në balotazh, shihet si një referendum për 73-vjeçarin Zeman, i cili e mban postin e presidentit që prej vitit 2013. Politika e tij anti-emigracionit nga vendet muslimane dhe prirja për të shtuar marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën kanë përçarë opinionin publik çek. Sondazhet tregojnë se Zeman vijon të mbetet më i pëlqyeri në rradhët e votuesve, por ai përballet me sfida të forta në raundin e dytë që pritet të mbahet brenda dy javësh, ku dy kandidatët më të fortë do të përballen kokë më kokë. Akademiku pro-perëndimor Jiri Drahos, 68 vjeç, shihet si kundërshtari kryesor i Zeman. Fitorja e mundshme e një rivali të presidentit aktual nënkupton se lidershipi çek kërkon t’i afrohet Bashkimit Europian, përkundër tendencave të fqinjëve si Polonia e Hungaria, qeveritë e të cilave janë përplasur me Brukselin. Presidenti në Çeki ka fuqi ekzekutive të kufizuara por zyrtarë të mëparshëm në këtë post kanë patur një ndikim të fortë mbi opinionin publik. Figura e presidentit është e rëndësishme në krijimin e qeverive, gjë të cilën Çekia po përpiqet të bëjë aktualisht.

/Ora News.tv/