Kandidatët e opozitës në Rusi kanë arritur të sfidojnë seriozisht rivalët e tyre proqeveritarë në zgjedhjet e fundit lokale. Megjithëse partia në pushtet ka ruajtur shumicën në Moskë, numri i mandateve të saj është shkurtuar me 12 krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Partitë e mbështetura nga qeveria ruse kanë pësuar humbje të thella në zgjedhjet lokale të së dielës.

Partia e presidentit Vladimir Putin, "Rusia e Bashkuar", fitoi 12 mandate më pak sesa në zgjedhjet e 2014-ës, duke ruajtur 26 vende nga 45 të mundshme në kuvendin bashkiak të Moskës.

Për shkak të popullaritetit të ulët të partisë së tyre, kandidatët garuan si të pavarur.

Ndërkohë nga opozita, Partia Komuniste raportohet të jetë rritur me 8 mandate duke marrë 13 në total, ndërsa 6 mandate iu shpërndanë 2 partive më të vogla.

Zgjedhjet lokale u panë si një referendum për kreun e shtetit, Putin, dhe partinë e tij.

Ato vijnë pas protestave antiqeveritare të udhëhequra prej dy muajsh nga opozitari Aleksei Navalni, pasi komisioni qendror i zgjedhjeve refuzoi regjistrimin e kandidatëve të partisë së tij, "Rusia e së Ardhmes", me arsyetimin se nuk kishin mbledhur firmat e kërkuara.

Përpos zgjedhjeve në Moskë, mbi 56 milionë votues rusë ushtruan të drejtën e votës edhe për 16 rajonet e vendit.

Pjesëmarrja ishte e ulët, vetëm 21 për qind në kryeqytet, ndërsa gjatë ditës u raportuan mbi 1,700 shkelje dhe pretendime për manipulime.

Zgjedhjet lokale i paraprijnë atyre të përgjithshme në vitin 2021, ndërsa vetë presidenti 66-vjeçar Putin do të shërbejë si kryetar shteti deri në vitin 2024 pas fitores plebishitare vitin e kaluar.

/Ora News.tv/