Skënder Gjinushi do të garojë i vetëm në zgjedhjet e 24 majit për kryetar të Akademisë së Shkencave. Në një intervistë për Televizionin Ora, ai shpalos platformën e tij si dhe shprehet se kritikat ndaj tij po hidhen në tymnajë.

Më 24 maj, Akademia e Shkencave do të zgjedhë kryetarin e ri. I vetmi kandidat në garë është Skënder Gjinushi, i cili për shkak të këtij angazhimi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Socialdemokrate.

Faktin që garon i vetëm e sheh si mbështetje nga akademikët.

Skënder Gjinushi: Gjithëkush është i lirë të kandidojë. Fakti që ka një konsensus në kandidime është prej asaj që është krijuar gjatë gjithë kësaj periudhe 1 vjeçare, një konsensus ndaj reformës.

Platforma e tij tenton të shkojë paralel me reformimin e Akademisë së Shkencave.

Skënder Gjinushi: Hapen mbi 15 vende që mundësojnë që gjeneratat në vijim të përfaqësohen me kualitetet e veta më të mira. Gjithashtu bëhet një hapje ndaj kolegëve në rajon, Asambleja dyfishohet në kapacitete, prurje të reja dhe ky është rigjallërimi.

Një përgjigje Gjinushi kishte edhe për kritikat që janë bërë ndaj tij nga akademikët.

Skënder Gjinushi: Kritikat me shpifjet apo konsideratat është diferencë e madhe.Të bësh kritikë është shumë e shëndetshme, të shprehësh tymnajëra është vetëm një autodiskretitim që i bën njeriu vetes.

Të shtunën e 24 majit, zgjedhje do të ketë edhe për disa pozicione vakante, për Zëvendëskryetar të Akademisë, Sekretar Shkencor dhe Kryetari të Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike.




/Ora News.tv/