Ze Maria ka mbyllur aventurën me Tiranën. Pas një fillimi të dobët dhe shumë larg pritshmërive, trajneri brazilian dhe presidenti i klubit Refik Halili dolën në një konferencë për shtyp për të konfirmuar ndërprerjen e kontratës.

Në fjalën e tij numri 1 i bardhebluve u shpreh se ndërprerja e kontratës ishte hapi më i mirë për të gjitha palët, ndërsa shtoi se objektivi i 24 herë kampionëve të Shqipërisë është pjesëmarrja në Kupat e Evropës.

"Më vjen keq që nuk e cuam projektin para. Kjo nuk ishte mirë as për klubin as për neve që të mos rrimin edhe të mos bënim ato shpenzime apo të bënim marrëveshje me trajnerë të tjerë. Do të ishte mirë që ta vazhdonim këtë por rezultatet nga detyrojnë ta shkëpusim këtë kontratë. Kemi një kontigjent të mirë. Ndoshta duhet të kishim një qendërsulmues që nuk po e gjejmë, ndërsa sa i përket pjesës tjetër unë them se lojtarët tanë janë ndër më të mirët në qarkullim. Neve është e rëndësishëm se patjetër të bëjmë të pamundurën për të shkuar në Kupat e Evropës."

Tetë pikë në 8 ndeshje janë shumë pak për ambiciet e bardhebluve dhe Ze Maria e di këtë gjë, duke pranuar se divorci në këto kushte ishte i  pashmangshëm.

"Një vit e gjashtë muaj më parë u mblodhëm këtu dhe është e drejtë që të vijmë këtu dhe të flasim vetë. Jam i kënaqur që kam qënë pjesë e kësaj familjeje. Kur një martesë nuk shkon mirë është e drejtë që ta mbajmë por kur nuk shkon mirë, divorci është zgjidhja e duhur. Mendoj se është e drejtë dorëheqja e trajnerit, duke arritur një bashkëpunim dhe për ta dërguar skuadrën aty ku ajo e meriton. Falenderim special për tifozët. Jam munduar se keqkuptimet t'i zgjidhim me klubin por kanë dal edhe jashtë. Do të shikojmë nëse problemi ishte i imi apo i presidentit. Shpresoj që të jem unë problemi dhe besoj me të vërtetë që të rritet skuadra. Nuk jam ai lloj personi që i marr gjërat nga shtëpia ime dhe i nxjerr jashtë. Presidenti i di problemet."

Ze Maria do të zëvendësohet nga Ardi Mema, ish-zëvendës trajner i Flamurtarit i cili njoftoi ndërprerjen e kontratës me kuqezinjtë.

/Ora News.tv/