Zbulohet qyteti antik në Shkodër

Zbulohet qyteti antik në Shkodër

Një qytet antik i panjohur me parë po del në dritë gjatë gërmimeve arkeologjike të një ekspedite shqiptaro-polake në Bushat të bashkisë së Vaut të Dejës.

Gjurmët zbresin deri në shekullin e gjashtë para erës sonë, por qyteti e ka arritur lulëzimin në shekujt 3 dhe 2, siç shpjegon kryesuesi i ekspeditës, arkeologu Saimir Shpuza.

Saimir Shpuza: Flasim për një periudhë të dendur, të lulëzuar nga shekulli 3 në shek. e 1 para erës sonë kur janë ndërtuar dhe këto mure. Gjetjet më të hershme në fakt i takojnë dhe shekullit të 6 para erës sonë, bëhet fjalë për importet e qeramikës greke.

Vendbanimi përllogaritet se shtrihet në rreth 20 hektarë sipërfaqe, shumë pranë Shkodrës dhe Lisusit antik. Aktualisht është zbuluar porta kryesore, muret fortifikuese me trashësi deri në 3 metra të trashë, por gjetjet dhe burimet historike janë të pamjaftueshme për ta identifikuar me një emër.

Saimir Shpuza: Për sa kohë nuk kemi të dhëna epigrafike që do të na e vërtetonin, nuk mund të shprehemi për emrin e këtij qyteti.

Arkeologu Polak Piotr Dyczek thekson rëndësinë e këtij gërmimi në dokumentimin e të gjithë rrjetit të qyteteve dhe vendbanimeve ilire.

Piotr Dyczek: Është një vend shumë interesant pasi shtrihet shumë afër Shkodrës dhe Lezhës. Fortifiimimi është madhështor është tre metra i gjerë. Nuk e dimë emrin por jemi të sigurtë që bëhet fjalë për një qytet të panjohur. Paralelisht ne po realizojmë survej në sitet arkeologjike të SHkodrës për të realizuar një hartë të rrjetit të qyteteve dhe vendbanimeve ilire, lëvizjet e fiseve dhe zhvillimet e asaj periudhe.

Zbulimi pritet ti japë hov turizmit në zonë, por për dokumentimin e plotë të veprimtarisë njerëzore në këtë vendbanim antik dhe për të patur një pamje të plotë të qytetit, ekspertet, thonë se duhet të presim edhe disa vite.

EMISIONET