Mozaikët e Vilës Athinase, mes të cilëve edhe i famshmi Mozaik i Akilit do të jenë të hapur vitin e ardhshëm nga vizitorët e Parkut të Apolonisë. Pas më shumë se 20 vitesh në konservim, ekspertët i kanë zbuluar këto ditë, për të parë gjendjen dhe për të përgatitur hapjen e Monumentit që pritet të jetë një atraksion i shtuar për turistët.

Mozaiku i Akilit në Apoloni, i cilësuar një mrekulli artistike, deri në një ungjill i artit të homerizimit, do të jetë i vizitueshëm sezonin e ardhshëm turistik.

Vepra që daton në shekullin e III para lindjes së Krishtit gjendet në të ashtuquajturën Vila Athinase, mozaikët e të cilës po dalin në dritë për herë të parë pas më shumë se 20 vitesh.

Ornela Dyrmishaj: Rihapet për të parë situatën, gjendjen e tij, për të konstatuar nëse ka nevojë për konsolidim apo jo dhe për të ndryshuar të gjithë elementët që bëjnë mbrojtjen e tij.

Pamjet në video tregojnë vetëm një pjesë të mozaikëve në dyshemenë e vilës. Aty mbizotërojnë figurat gjeometrike dhe floreale dhe ngjyrat bardh e zi.

Ornela Dyrmishaj: Është një nga mozaikët më të bukur që mendohet që ka Apolonia, që është ai i Akilit.

Pas verikimit të gjendjes, Vila Athinase do të jetë e vizitueshme verën e ardhshme, dhe drejtuesit e parkut Arkeologjik, presin që ajo të jetë magnet për turistët.

Ornela Dyrmishaj: I vizitueshëm është dhe në këto momente, por besoj se vitin tjetër do të jetë një nga atraksionet plus për Apoloninë, siç ishte dhe Vila Impluvium sivjet që u hap.

Mozaiku në Vilën Impluvium që u hap verën që lamë pas ishte një prej atraksioneve që sollën mbi 36 478 vizitorë gjatë muajve janar-gusht 2018 në Parkun e Apolonisë.

/Ora News.tv/