Ministri i Brendshëm i Kosovës, Flamur Sefaj ka deklaruar se është zbuluar emri i pronarit të makinës nga ku dyshohet se u vra Oliver Ivanoviç.

Në një intervistë për Interaktiv në KTV, Sefaj nënvizoi se pronari i makinës është shtetas serb dhe se ndodhet në Serbi.

Minisitri i Brendshëm kosovar tha gjithashtu se në dy policë të Kosovës, të komunitetit serb janë arrestuar pasi u përfshinë në manipulimin e provave të vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare SDP.

“Fatkeqësisht kemi parë se dy policë të Kosovës të komunitetit serb, kanë qenë të përfshirë në këtë rast dhe është bërë arrestimi i tyre. Të gjeturat e para i ka bërë menjëherë policia, ka mbërritur në gjurmët e makinës prej së cilës siç duket është kryer vrasja dhe kemi arritur që të identifikojmë pronarin e makinës.

Pronari gjendet në Serbi, kemi kërkuar nga policia serbe që të fillojnë hetime ndaj pronarit të makinës. Në këtë mënyrë e kemi përfshirë në hetime policinë serbe. 

Informatat e tyre kanë qenë mjaft të përgjithshme dhe ende është duke u hetuar. Presim që të ketë informata edhe nga pala serbe. Ne kemi emrin dhe mbiemrin e këtij qytetari serb, shtetas i Serbisë,”-është shprehur ai.

Sefaj u shpreh Serbia e ka politizuar çështjen, ndërsa pret që policia serbe të bashkëpunojë për zbardhjen e plotë të vrasjes

"Janë duke u ekzaminuar materialet dhe nuk kam detaje të tjera. Rezultatet që ne po i kërkojmë, ato informata deri tani nga ana e Serbisë nuk janë të mjaftueshme. Ne nuk e kemi politizuar aq sa e ka politizuar Serbia,”- tha Sefaj.

Ndërsa pyetjes nëse e njeh Milan Radoiçiqin, ai u përgjigj  me  ‘jo’, duke shtuar se nuk e di çfarë roli dhe fuqie ka.

“Nuk e di kush është ky person, por nuk e njoh dhe se di se çfarë roli e ka apo çfarë fuqie ka."


/Ora News.tv/