Zbardhet ngjarja në Fier, spitali fshehu vrasjen e gruas, burri e mbyti me litar

Zbardhet ngjarja në Fier, spitali fshehu vrasjen e gruas, burri e mbyti me

Zbardhet pas një viti shkaku i vdekjes së një të moshuare e cila ishte deklaruar si vdekje natyrale nga mjeku i qendrës shëndetësore në Patos. Policia e Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë zbuluar se bëhej fjalë për një krim në familje ku autor i vrasjes është bashkëshorti i viktimës, cili është arrestuar gjithashtu. Mjeku që e trajtoi rastin si vdekje natyrale ndodhet në procedim penal. Vrasja ishte kryer duke e mbytur me litar.

Një vit më parë shtetasja Vreke Velaj ndërroi jetë në banesën e saj në Patos. Rasti u trajtua si vdekje natyrale nga mjeku Ilir Tanku, i cili në atë kohë ishte mjek i qendrës shëndetësore të qytetit, ndaj si të tillë e ka arkivuar në atë kohë edhe policia e Fierit. 

Por vëllezërit e të ndjerës, në atë kohë rreth 74 vjeçe,  kanë pasur dyshime se motra ishte mbytur nga bashkëshorti i moshuar, ndaj në shtator të vitit të kaluar kishin bërë një denoncim dhe kishin kërkuar një hetim të plotë për vdekjen.

Pas 6 muajsh hetime me metoda speciale hetimi, Policia e Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda arriti të provojë se vdekja e të moshuarës ishte vrasje.

Mbi bazë të tyre, Prokuroria ka marrë në gjykatë një masë sigurie "arrest me burg" dhe ka vënë në pranga për vrasje 75- vjeçarin Namik Velaj.

Ora News ka mësuar se i moshuari e ka mbytur bashkëshorten me litar dhe se që nga koha e denoncimit, telefoni i tij ka qenë në përgjim.

Mësohet se gjatë komunikimit me vellezërit e tij, ai ka pranuar krimin duke u shprehur se gruaja i kishte mbetur në dorë.

Ka qenë kjo prova mbi bazën e të cilës këtë të martë është bërë arrestimi i 75-vjeçarit si dhe vendosja e masës së heqjes së të drejtës së ushtrimit të profesionit për mjekun e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, Ilir Tanku, ndaj të cilit ka nisur edhe një hetim për veprën penale të "Shpërdorim i detyrës" nën masën e sigurisë "Detyrim paraqitje".

Ndërkohë policia e Fierit thotë se ende po punon për të zbardhur shkaqet e vrasjes së të moshuarës nga bashkëshorti i saj.

EMISIONET