Fjala e Kryetarit të Shoqates "Konsujt e Nderit", Ylli Ndroqi mbajtur sot ne tryezen me teme "Energjia dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm Ekonomik- Roli i Diplomacisë Ekonomike".

I nderuar Z.Ministër,

I nderuar Guvernator i Bankës së Shqipërisë,

I nderuar Z.Ambasador,

Të nderuar kolegë Konsuj të Nderit,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve, kompanive e organizatave kombëtare e ndërkombëtare,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ju uroj mirëseardhjen dhe ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë tryezë!

Është kënaqësi e veçantë që në kuadër të aktiviteteve të Shoqatës Konsujt e Nderit në Shqipëri, rikthehemi për të katërtin vit rradhazi në një tryezë të përbashkët diskutimi mbi diplomacinë ekonomike dhe rolin e Konsujve të Nderit, që tashmë e kemi bërë traditë.

Këtë vit fokusi i diskutimit është vendosur tek energjia, sepse besojmë fort se një nga rrugët më të rëndësishme të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, por edhe të investimeve të huaja në Shqipëri është energjia. Mbi të gjitha energjia e rinovueshme për të cilën kemi, falë natyrës sonë, resurse të jashtëzakonshme dhe ende të paeksploruara.

Ne si Konsuj Nderi, ura lidhëse mes shteteve të ndryshme që përfaqesojmë dhe Shqipërisë, katalizatorë të diplomacisë ekonomike, e shohim këtë sektor me një rëndësi të vecantë për zhvillimin ekonomik, pikërisht prandaj menduam të nisim sot diskutimin mes institucioneve dhe partnerëve të ndryshëm kombëtare e ndërkombëtarë, për një bashkëpunim e diskutim të frytshëm, për realizimin e nismave të përbashkëta e për tejkalimim e sfidave me vizionin e një zhvillimi të qëndrueshëm në fushën e energjitikës.

Duke dashur t'ua lë kohën e diskutimit ekspertëve të fushës, më lejoni ta mbyll këtë fjalë mirëseardhje duke falenderuar Ambasadën e Mbretërisë së Norvegjisë për mbështetjen e këtij aktiviteti dhe veçanërisht Ambasadorin, i cili ka udhëtuar që nga Prishtina për të marrë pjesë në këtë event. Ndaj siç e kemi zakon në Shqipëri, që të parin nderojmë mikun që vjen nga larg, ia jap me kënaqësi fjalën Ambasadorit të Norvegjisë në Shqipëri, Z. Per Strand SJAASTAD.

Ballafaqimi

Kreditimi për investimet në energjetikë dhe hezitimi i bankave shqiptare për të mbështetur projektet në këtë sektor ka qenë një ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga kreu i shoqatës së Konsujve të Nderit,Ylli Ndroqi, sot gjatë takimit ballafaques të sipërmarrjeve vendase dhe të huaja me Ministrin e Energjitikës Gjiknuri dhe Guvernatorit Sejko.. 

 Ylli Ndroqi: Këto dy vitet e fundit, bankat janë tkurrur përsa i përket dhënies së kredisë. Unë do doja ta ngre këtë shqetësim se jo pa qëllim jemi mbledhur.  

Gent Sejko:  Është shqetësim i drejtë, bankat për atë punë janë, që të mbështesin projektet të cilat janë në projeksione pozitive. Tkurrja e bankave ka ardhur nga një mjedis i përgjithshëm që vjen dhe nga kreditë me probleme me shumë faktorë.   

/Ora News.tv/