"Duhet të qërohen të tillë oficerë dhe të mësohet puna e xhandarmërisë e policisë në duar të ndershme e të stërvitura. Të zgjidhni xhandarë e policë me kujdes të madh dhe të shtrënguar" - Kryeministri hapi fjalimin e tij me një mesazh të Ismail Qemalit 105 vjet më parë në ditën e themelimit të policisë së shtetit, një mesazh që është aktual dhe tani me procesin e vettingut në policinë e shtetit.

"Sfida e madhe që e shoqëron policinë e shtetit është dhe do të jetë sfida për tu përballur nga njëra anë me të keqen në shoqëri dhe me të gjithë ata që kërcënojnë bashkëjetesën shoqërore duke shkelur ligjin dhe me të keqen brenda vetes, që është një kërcënim i vazhdueshëm i çdo organizmi" u shpreh Rama nga Lezha me rastin e ceremonisë së 105 vjetorit të themelimit të policisë

Procesin e vettingut që do të nisi së shpejti e quajti po aq të rëndësishëm sa vettingu që ka nisur në institucionet e tjera të drejtësisë

Edi Rama: "Jemi absolutisht të sigurtë se spastrimi i domosdoshëm jetik për ta kthyer policinë mund dhe do ta realizojmë me sukses të plotë. Vetingu në polici është po aq të rëndësishëm sa vettingu që ka nisur në institucionet e tjera të drejtësisë. Pasi krimi nuk mund të luftohet me prokurorë e gjykatës të korruptuar por as dhe me drejtorë, shefa komisariatesh apo policë të korruptuar. Një proces i tillë do të bëjë të mundur largimin e të gjithë drejtuesve dhe efektivëve të përfshirë në veprimtari kriminale apo me burime të pajustifikuara të pasurisë të akumuluara në këto vite. Kjo do të jetë baza e mandatit tonë të dytë dhe garancia se në fund të këtij mandati do i themi shqiptarëve e ndërkombëtareve se policia jonë është polici e standardeve europiane" 

Ndalni dhunen verbale

Nga ana e tij Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj bëri apel për të ndalur dhunën verbale ndaj policisë së shtetit. Xhafaj tha se është shenjë e një sjellje politike jo të pjekur dhe jo në interes të publikut e të vendit sulmi  politik që synon ta tregoj Policinë si një organizatë të inkriminuar.

Fatmir Xhafaj: "Nga kjo foltore, apeloj fuqishëm për të ndalur dhunën verbale ndaj Policisë së Shtetit. Ashtu sikurse, në çdo rast, kemi ndëshkuar veprimtarinë jo ligjore mes radhëve të Policisë së Shtetit, po aq jemi të vendosur për të reaguar ligjërisht ndaj kujtdo që ngre dorë apo dhunon punonjësit e policisë në ushtrimin e detyrës së tyre. "

"Është shenjë e një sjellje politike jo të pjekur dhe jo në interes të publikut e të vendit sulmi  politik që synon ta tregoj Policinë si një organizatë të inkriminuar. "

Ai u shpreh optimist për procesin e vettingut dhe një projekt ristrukturimi të policisë.

"Ne jemi duke realizuar, me mbështetjen e Kryeministrit Rama dhe kontributin aktiv të partnerëve ndërkombëtar një projekt ristrukturimi të policisë që do ta bëjë atë shumë më prezente dhe më eficente në kontrollin e territorit dhe do të mundësojë një lidhje më të drejtëpërdrejtë të punonjësit të policisë së zonave policore me komunitetin përkatës dhe kryesorja në shërbim të çdo familje e çdo qytetari banorë të atij komuniteti.

Procesi i Vetting-ut që nis së shpejti do të reformojë në kapacitetet e saj njerëzore Policinë e Shteti duke synuar të promovojë pjesën më të shëndetshme të saj, punonjësit më me integritet, ata më të trajnuarit, më të arsimuarit, të cilët për hir të së vërtetës janë shumicë në këtë organizatë.


/Ora News.tv/