Xhaçka "kursen" miliona euro, ushtria ndërton argjinaturën e Vjosës

Forcat e Armatosura, të mbështetura nga bashkia Fier po forcojnë argjinaturën e lumit Vjosa, duke rehabilituar në pak javë 3.5 kilometrat e parë.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka duke inspektuar punën që po bëhet theksoi se, projekte të tilla jo vetëm reduktojnë fatura e mëdha në raste emergjencash, por në të njëjtën kohë vendosin një standard të ri në parandalimin e pasojave që mund të sjellë moti i keq.

Xhaçka: Zbatimi i këtij projekti, i cili në kushte të tjera do të kishte kushtuar miliona euro, falë profesionalizmit dhe përkushtimit të FA do të kushtojë shumë herë më pak. Ka ardhur koha që nën shembullin e Fierit dhe të këtij projekti të mirë koordinues mes të gjithëve ne, të vendosim një standard të ri në menaxhimin e emergjencave përmes nismave që parandalojnë pasojate motit të keq".

Projekti për forcimin e argjinaturës së Vjosës është parë nga afër edhe nga 12 prefektët, përfaqësues të bashkive më të prekura nga përmbytjet në të gjithë vendin si dhe drejtues të disa njësive administrative të Fierit, Lushnjes e Vlorës.

Xhaçka bëri me dije se Ministria e Mbrojtjes është në procesin e rishikimit të ligjit për Emergjencat Civile, ligji i cili pritet të përcaktojë detyrimet për secilën strukturë, si dhe dhe penalitetet e nevojshme për strukturat dhe personat që neglizhojnë apo nuk respektojnë detyrimet ligjore.

Në prag të hartimit të buxheteve vjetore për bashkitë, Ministrja Xhaçka kërkoi sërish përgjegjshmëri në përcaktimin e buxhetit dedikuar për emergjencat, zë i cili deri më sot nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga pjesa më e madhe e bashkive.

EMISIONET