Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka porositur në Kosovë se Serbia do të japë gjithçka nga vetja për ta ruajtur paqen, se do të bëjë gjithçka që mospajtimet shumëshekullore me shqiptarët të zgjidhen, që të sigurohet paqe dhe siguri e qëndrueshme për të gjitha familjet serbe dhe shqiptare.

Ai e ka bërë këtë deklaratë para Manastirit në Banjska, ku edhe e ka nisur vizitën e tij në Kosovë.

Vuçiç i ka porositur serbët e Kosovës se duhet të mbesin dhe mbijetojnë në vatrat e tyre, duke thënë se për këtë do t’i ndihmojë shteti i Serbisë.

“Nuk guxohet që të jemi më pak në territorin, në vendin ku kemi jetuar gjithmonë dhe për këtë arsye, si shtet, do të luftojmë në të gjitha mënyrat”, ka thënë Vuçiç.

Ai ka theksuar se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë është që të bisedojë me serbët edhe për sigurinë, pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, si dhe për atë se cilat organe ua garantojnë sigurinë.

Të shohim se si dhe në cilën mënyrë do t’i zhvillojnë hetimet. Ne do të shkëmbejmë informacione, sepse po shoh që po flasin për shkëmbim të informacioneve, edhe pse kemi kërkuar që të marrim pjesë në hetime. Por, do të presim, jo rrëfimet për gazeta, por rezultatet përfundimtare të hetimeve. Të shohim se a do të sjellin hetimet deri te kryerësit e krimit të neveritshëm në Mitrovicë ose jo. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë mjaft gjëra do t’i kemi të qarta”, ka thënë Vuçiç.

Ai ka shtuar se është e nevojshme gjetja e moduseve të reja që ruajtja e sigurisë dhe paqes së serbëve të bëhet më e qartë.

Vuçiq theksoi se është e rëndësishme edhe gjetja e mekanizmave të rinj në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në radhët e veta.

Ai ka thënë se Qeveria e Serbisë ka investuar mjaft në renovimin e kishave në Kosovë dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe më tej. Gjithashtu, ai e ka cilësuar të rëndësishme që të përfundojë projekti i vendbanimit banesor “Lugina e diellit’.

Peshkopi Teodosije, me këtë rast, ka thënë se vizita e Vuçiçit është mjaft e rëndësishme dhe se për serbët në Kosovë është e pamundur mbijetesa pa shtetin e Serbisë.

Vizita e Vuçiçit në Kosovë pason katër ditë pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, siç ka paralajmëruar ai, për të biseduar me serbët.

Pas vizitës në Manastirin në Banjska, Vuçiç ka udhëtuar për në Mitrovicën veriore.

Ai ka vendosur kurorë para zyrës së Iniciativës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, aty ku është vrarë lideri i këtij subjekti politik, Oliver Ivanoviç.

Siç është paralajmëruar, në Fakultetin e Shkencave Teknike në Mitrovicën e veriut, Vuçiç aktualisht është duke mbajtur takim të mbyllur me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës.

Siç ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë shefi i operativës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Zheljko Bojiq, policia do të zbatojë planin operativ të veçantë, me rastin e vizitës së presidentit serb.

Me urdhër të Drejtorisë kryesore të Policisë, policia rajonale e veriut ka hartuar planin operativ për këtë vizitë, për zbatimin e të cilit është paraparë angazhimi i një numri të madh të pjesëtarëve të policisë, ka thënë Bojiq.

Ndonëse më herët ishte paralajmëruar që Vuçiç do të qëndrojë dy ditë në Kosovë, ai do ta përfundojë vizitën të shtunën, pas takimit me qytetarët lokalë në Llapna Sellë.

Kjo është vizita e shtatë e Vuçiçit në Kosovë në pesë vitet e fundit, ndërkaq e para në cilësinë e presidentit të Serbisë.

/Shkrim i pergatitur nga gazetari Bekim Bislimi publikuar sot ne REL/


/Ora News.tv/