Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi në Bukuresht se këtë muaj, por edhe muajt në vijim, do të ketë “shumë muhabete rreth Kosovës”, pas informacioneve që dolën se Prishtina vazhdon të kundërshtojë formimin e Asociacionit të komunave Serbe.

Vuçiç është shprehur se shpreson se “kjo nuk do të shkaktojë përshkallëzim dhe destabilizim të mëtejshëm të marrëdhënieve” ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por nuk dëshiron të shpejtojë me komente dhe se do të reagojë pasi që të marrë informacionin e plotë lidhur me zhvillimet e fundit rreth “Zajednicës”.

“Dua së pari ta shoh se për se bëhet fjalë. E shoh se ekziston një moskuptim në publik për esencën e Marrëveshjes së Brukselit. Do ta sjell Marrëveshjen e Brukselit në ditët në vijim para nesh dhe do ta lexoj nga A-ja deri në Zh, ngase shihet qartë se nuk mjafton që ta publikosh në ueb që të mund ta shohin të gjithë”, tha Vuçiç.

Presidenti serb ka shprehur habi nëse Prishtina ka marrë një vendim të tillë, për çfarë flasin mediat, lidhur me Asociacionin.

“Më jepni 24 orë që të mund të reagoj. Më kuptoni se sot s’kam pasur kohë kokën ta çoj nga puna në Rumani. Nëse është kjo e vërtetë, nuk e di se si mund të jetë çka do qoftë mirë, sepse kjo do të thotë se dikush me vendimet e veta po na fut në destabilizim të ri”, tha Vuçiçi, shkruan Insajderi

/Ora News.tv/