Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka folur me tone të ashpra në samitin e Brdo-Brijunit në Tiranë. Ai akuzoi Bashkimin Europian se nuk ka bërë sa duhet për të thyer akullin midis serbëve dhe shqiptarëve. Veçanërisht kritik, Vuçiç ka qenë ndaj kundërshtimit të idesë së ndryshimit të kufijve, për të cilën po flitet aq shumë që pas samitit të Berlinit.

Mediat serbe kanë publikuar hollësi nga takimi i udhëheqësve të Ballkanit në samitin e Brdo-Brijunit në Tiranë.

Sipas agjencisë Tanjug që ka siguruar dhe një video nga fjala e Vuçiç në takim, kreu serb "vuri në dukje se nuk ka folur kurrë për ndonjë model për Kosovën, por vetëm për arritjen e një marrëveshjeje."

Ai gjithashtu ka akuzuar Bashkimin Europian se nuk ka bërë sa duhet për të thyer akullin midis serbëve dhe shqiptarëve.

Veçanërisht kritik, Vuçiç ka qenë ndaj varrosjes së idesë së ndryshimit të kufijve, për të cilën po flitet aq shumë që pas samitit të Berlinit.

Vuçiç: “Problemi është se tani ne jemi shumë larg arritjes së një marrëveshjeje dhe kush e di se për sa vite do ia dalim ta arrijmë. Është keq për popullin shqiptar dhe serb, dy prej popujve më të mëdhenj të Ballkanit Perëndimor. A morëm ne mbështetje nga Bashkimi Europian? Jo nuk morëm! Të gjitha na thanë mos e bëni këtë, mos i ndryshoni kufijtë dhe sigurisht të gjithë shohin interesat e tyre, pavarësisht se kjo është në interesin tonë dhe të askujt tjetër. Ju i ndryshuat kufijtë 10 vjet më parë dhe 5 vjet më parë. Megjithatë ne e dëgjuam Bashkimin Europian dhe ja ku jemi, bisedimet kanë ngecur. Do të duhet një kohë e gjatë për të arritur një marrëveshje mes popullit shqiptar dhe atij serb.”

Vuçiç gjithashtu mësohet se ka thënë se pavarësisht se kush ndërmjetëson, problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta zgjidhin vetë serbët dhe shqiptarët.





/Ora News.tv/