“I kërkova Shteteve të Bashkuara të na ndihmojnë në stabilizimin e Ballkanit”. Ka qenë ky apeli i Presidentit serb Aleksandwr Vuçiç drejtuar senatorit amerikan Ron Xhonson, me të cilin ai është takuar në Beograd. Vuçiç konfirmoi gatishmërinë e Serbisë për të arritur një kompromis me Kosovën, por theksoi se zgjidhja duhet të kënaqë të dyja palët.

Presidenti i Serbisë Aleksandwr Vuçiç i ka kërkuar ndihmë Shteteve të Bashkuara në stabilizimin e rajonit të Ballkanit.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me senatorin republikan Ron Johnson, i cili shërben si kryetar i Komitetit për Sigurinë e Brendshme dhe Nënkomitetit për Europën, Vuçiç kërkoi që Uashingtoni të ndërhyjë duke i kërkuar shqiptarëve të Kosovës të jenë gati për një kompromis të vërtetë në çështjen me Serbinë.

Palët ranë dakord se durimi dhe fleksibiliteti janë dy pikat kyçe për zgjidhjen e të gjitha problemeve në rajon, përfshi këtu edhe marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Kemi qëndrime të ndryshme sa i përket lidhjeve tona me Kosovën. Shtetet e Bashkuara kanë njohur shpalljen e njëanshme të pavarësisë, ndërsa ne jemi në bisedime dhe shpresa jonë është që të mund të arrijmë një kompromis. Beogradi është gati, por zgjidhja duhet të kënaqë të dyja palët,” u shpreh Presidenti serb në konferencën për shtyp.

Sakaq, senatori amerikan Johnson deklaroi se çdo marrëveshje që Prishtina e Beogradi do të arrijnë, duhet të marrë parasysh të ardhmen për të gjitha palët.

Ai theksoi se e shkuara nuk mund të harrohet, por populli i Ballkanit duhe të dijë të falë dhe të bëjë përpara drejt një të adhmeje të suksesshme.


/Ora News.tv/