Vuçiç: Jo zgjedhje të parakohshme në Serbi

Vuçiç: Jo zgjedhje të parakohshme në Serbi

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se vendi nuk do t’i drejtohet zgjedhjeve të përkohshme parlamentare. Në një konferencë pas takimit me partinë e tij, Vuçiç u shpreh se ky vendim tregon se interesat e shtetit janë më të rëndësishme se ato partiake.

Serbia nuk do t’i drejtohet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në një konferencë për shtyp, presidenti Aleksandar Vuçiç deklaroi se kryesia e Partisë Progresive Serbe të udhëhequr prej tij, ka vendosur kundër thërritjes së zgjedhjeve të hershme.

Me vetëm dy vota kundër, Vuçiç falenderoi trupën kryesore të partisë për mbështetjen thuajse unanime që i dha qëndrimit të tij lidhur me këtë çështje.

Kreu i Beogradit deklaroi se zgjedhjet do të organizohen në muajin mars dhe skuadra garuese e Partisë Progresive Serbe do të bëhet e ditur sapo Kryetarja e Kuvendit Maja Gojkovic të thërrase zgjedhjet.

Vuçiç theksoi se ky vendim i kryesisë së partisë reflekton faktin se interesat shtetërore janë më të rëndësishme se ato partiake. Shumë besojnë se thërritja e zgjedhjeve të parakohshme do të përdorej për të forcuar pozitat e koalicionit qeverisës.

Kjo nuk është hera e parë që Progresistët Serbë diskutojnë perspektivën e zgjedhjeve të parakohshme, pavarësisht faktit se ata mbajnë një shumicë të qëndrueshme në parlamentin serb.

Lidershipi diskutoi nëntorin e kaluar lidhur me këtë çështje, por vendosi kundër thërritjes së zgjedhjeve me këshillë të presidentit Vuçiç.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të koinçidonin me zgjedhjet për Asamblenë e Qytetit të Beogradit.

Disa ekspertë besojnë se Progresistët janë të shqetësuar se do të humbasin zgjedhjet lokale të kryeqytetit, gjë që mund të promovojë opozitën dhe të dobësojë imazhin e Vuçiç dhe forcës që ai drejton.

EMISIONET