Vuçiç: Dërgesa ushtarake ruse arrin në Serbi, me gjithë kundërshtimet e disave

Vuçiç: Dërgesa ushtarake ruse arrin në Serbi, me

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pasi mori pjesë në ceremoninë e pranimit të dhjetë automjeteve të blinduara nga Rusia, tha se deri në fund të vitit shteti rus do të dërgojë edhe armë të tjera në Serbi, të cilat tashmë janë blerë ose janë dhënë donacion.

I pyetur nga gazetarët në Nish nëse është e vërtetë që Rumania, javën e kaluar, ka ndaluar transportimin e dërgesave ushtarake ruse në Serbi, Vuçiq konfirmoi se ato janë ndaluar përmes rrugës së Danubit.

Agjencia e lajmeve AP raportoi më 26 korrik se Rumania ka bllokuar dërgesën e tankeve luftarake ruse dhe të automjeteve të blinduara në Serbi, për shkak të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Vuçiç nuk tregoi se si donacioni i automjeteve të blinduara ruse iu dorëzua Serbisë, por tha se kjo është bërë "në përputhje me ligjin dhe kontratën e lidhur me atë vend".

"Nuk do të flisja për këtë. I kemi respektuar normat e së drejtës ndërkombëtare dhe gjithçka është bërë në përputhje me marrëveshjen me Rusinë", tha Vuçiç pas pranimit zyrtar të automjeteve të blinduara BRDM-2MS në Nish.

"Ato kanë ardhur me gjithë kundërshtimet e disave. Këto na duhen për të ruajtur sovranitetin... Nuk kemi plane për pushtim, këto na duhen vetëm për të mbrojtur vendin tonë", tha Vuçiç, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi më 27 korrik se marrëveshja ushtarake-teknike me Rusinë "po zbatohet në afatet e dakorduara".

Vuçiq e falënderoi Rusinë për donacionin dhe presidentin rus, Vladimir Putin.

"Tani është moderne të flitet kundër Putinit. Unë nuk dua të jem modern dhe popullor; unë dua të jem falënderues ndaj Putinit", tha Vuçiç.

Ai njoftoi se deri në fund të vitit në Serbi do të mbërrijnë edhe katër helikopterë luftarakë Mi-35, tre helikopterë transporti Mi-17, si dhe tanke të tjera BRDM-2MS dhe T-72 nga Rusia.

/REL/


EMISIONET