Vrasja në Elbasan për pazare droge, Ora News siguron pamjet e makinës së viktimave

Përplasjet mes bandave në trafikun e drogës janë pista kryesore që po heton policia në lidhje me vrasjen e tre personave në atentatin mafioz që ndodhi në zonën e Bradasheshit në Elbasan rreth orës 21.15 të së shtunës.

Tre viktima

Viktimat sipas policisë, janë dy shtetasit shqiptarë Arben Dylgjeri, 56-vjeç, emigrant në Angli, nipi i tij Endri Alibej, 34 vjeç, emigrant në Holandë si dhe shtetasi turk Erdal Dyranay, 51 vjeç.

Ata ishin duke udhëtuar me një makinë fuoristradë me targa rumune AG 71 WYP në momentin kur ndaj tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi duke i lënë të vdekur në vend.

Vrasja ka ndodhur pak minita pasi tre viktimat dhe familjarë të tyre kishin dalë nga një restorant në zonën e Peqinit.

Dyshohet se ishin 4 autorë

Të dhënat e policisë flasin për katër autorë që kanë ndjekur gjithë lëvizjet e viktimave për disa orë dhe kanë vendosur të realizojnë atentatin në një zonë ku nuk kishte as ndriçim e as kamera në rrugë.

Makina e viktimave ka qenë në ecje në momentin e sulmit dhe pas humbjes së jetës së drejtuesit ka dalë nga rruga duke u përplasur me rrethimin e një objekti në anë të rrugës. ndërkaq familjarët e tre personave të ekzekutuar, pesë gra dhe tre fëmijë, nuk kanë pësuar dëmtime pasi ndodheshin në një automjet tjetër disa metra pas fuoristradës me targa rumune që u bë objektiv i sulmit.

30 të shoqëruar

Policia e Elbasanit ka shoqëruar të paktën 30 persona në lidhje me ngjarjen ndërsa në vendin e atentatit ka qëndruar për disa orë mbrëmjen e të shtunës edhe vetë kreu i policisë Ardi Veliu dhe specialistë të hetimit nga Tirana.

Ndërkaq në Elbasan janë vendosur forca speciale që kanë vazhduar patrullimet dhe kontrollet gjatë gjithë ditës së dielë.

Sipas të dhënave të deritanishme autorët e atentatit mendohet se kanë qenë me një automjet tjetër dhe kanë ecur paralel me makinën e viktimave e cila është qëlluar me 18 plumba në pjesën anësore nga krahu i shoferit.

Njëri prej viktimave ka qenë i arrestuar në Itali

Njëri prej viktimave, shtetasi Endri Alibej është arrestuar në Itali në dhjetor të vitit 2013 me 2.5 kilogramë kokainë. në operacionin e arrestimit të Alibejt i cili në atë kohë u zhvillua në disa qytete të Italisë, morën pjesë më shumë se 300 policë.

Për shtetasin turk Erdal Dyranay ende nuk ka shumë të dhëna veç faktit se është i afërm i gruas së njërit prej dy viktimave të tjera me të cilët kishte ardhur në Shqipëri për festat e fundvitit. Edhe pse me origjinë nga Turqia, 51 vjeç Dyranay mësohet se vitet e fundit kishte jetuar në Rumani ku besohet se bashkëpunonte me Endri Alibejn në trafikun e narkotikëve.

EMISIONET