Politikës europiane dhe opinionit publik jashtë Sllovakisë nuk i janë bërë edhe aq të vetëdijshme sfondi i vrasjes së gazetarit Ján Kuciak dhe implikimet e mundshme politike të tij, komenton Keno Verseck.

Vrasja e gazetarit sllovak, Ján Kuciak dhe e të fejuarës së tij Martina Kusnírová e ka tronditur Sllovakinë si pak ngjarje të rëndësishme që nga pavarësimi i vendit para 25 vitesh. Ndjenja e shokimit dhe tronditja e thellë përzihet gjithnjë e më shumë me zemërimin. Shprehje e kësaj ishte të premten demonstrata më e madhe në Sllovaki që nga koha e revolucionit të kadifenjtë në vjeshtën e vitit 1989. Në të gjithë vendin qindra mijëra vetë dolën në rrugë, 50.000 vetë vetëm në Bratislavë, për një vend prej 5 milionë vetësh, një numër i konsiderueshëm.

Motoja e mitingut ishte – „Le të angazhohemi për një Sllovaki të ndershme!" Njerëzit dalin në rrugë kundër korrupsionit e keqpërdorimit të pushtetit, kërkojnë më shumë drejtësi, më shumë transparencë dhe qeverisje të përgjegjshme. Ndërkohë që demonstratat e tanishme janë më të mëdhatë, por jo të parat. Ka vite që periodikisht zhvillohen protesta kundër qeverisë së Robert Ficos dhe partisë së tij socialdemokrate, SMER-SD. Gazetarë investigativë zbulojnë rregullisht skandale korrupsioni të SMER dhe qeveritarëve të tjerë, njëri më skandaloz se tjetri, pa ndonjë pasojë politike apo juridike.

Pakënaqësi e përgjithshme

Pas këtyre protestave fshihet një pakënaqësi e thellë e përgjithshme me mënyrën e transferimit nga diktatura socialiste në demokraci dhe ekonominë e tregut. Sllovakia nga pikëpamja makroekonomike konsiderohet me të drejtë një vend i suksesshëm në pjesën lindore të BE. Por çmimi për këtë ka qenë i lartë: Pas fundit të diktaturës qindra mijëra vetë dolën nga ana sociale humbës të politikës ekonomike reformuese. Ata ndoshta do ta pranonin këtë gjendje, po të mos shikonin, se si një elitë e vogël, anëtarët e të cilës shpesh që në diktaturë bënin pjesë tek fitimtarët, në mënyrë të paturpshme dhe kriminale u pasuruan me pasurinë e dikurshme të popullit.

Ky lloj vetëshërbimi vazhdon edhe sot, vetëm se të pushtetshmit kujdesen për të ruajtur më shumë fasadën e legalitetit përmes trukeve juridike apo me miratimin e ligjeve që lenë hapësira të mëdha për anashkalim. Por e moralshme kjo mbetet. Dhe e mbuluar nga kryeministri, Robert Fico dhe partia e tij përmes një retorike herë populiste të majtë, herë të djathtë nacionaliste.

Të mbështetet lëvizja shoqërore demokratike

Sa e drejtë dhe e madhe është pakënaqësia e qytetarëve sllovakë, po kaq pak ia kanë dalë lëvizjet shoqërore të kthehen në fuqi politike. Nuk ka një alternativë të fortë politike, që angazhohet në mënyrë të besueshme për më shumë shtet të së drejtës, më shumë drejtësi sociale e demokraci më të mirë. Një pjesë e partive opozitare janë vetë të diskredituara përmes qeverisjeve të mëparshme. Si alternativa vetëofrohen populistët e ekstremit të djathtë.

Ky zhvillim i ngjason atyre të shumë vendeve europianolindore. Shumë vëzhgues në Sllovaki i tremben zhvendosjes së vendit si në Hungari apo Poloni. Opinioni publik në BE dhe jashtë tij është shumë pak i vetëdijshëm për sfondin e vrasjes së Kuciak dhe implikime të mundshme politike të tij. Ajo që po ndodh tani në Sllovaki duhet të jetë një sinjal paralajmërues që të shihet edhe jashtë me më shumë vëmendje zhvillimi aktual dhe të mbështetet lëvizja shoqërore demokratike./DW

/Ora News.tv/