Në pamje të parë duket një klient i zakonshëm. Pasi ulet në tavolinë, merr menynë dhe bën porosinë pranë kamerierit, por qëllimi është krejt tjetër. Duket një skenë filmi, por fatkeqësisht është e vërtetë.

Bëhet fjalë për shefin e policisë Edgar Edmundo Pérez de la Peña, i cili u vra të premten e kaluar brenda një restoranti në qytetin Cuauhtemoc të Meksikës.

Sulmi u regjistrua nga kamerat e sigurimit të institucionit.

Në videon e shfaqur, dy burra me kapele hyjnë në restorant dhe ulen pranë tryezës ku ishte Perez.

Njëri prej tyre ngrihet nga karrigia dhe nxjerr armën nga brezi duke qëlluar mbrapa kokën shefin e policisë në një distancë shumë të shkurtër. Gruaja që shoqëronte Edmundo Pérez ngrihet e befasuar.

Pas krimit, vrasësi dhe shoqëruesi i tij largohen qetësisht sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Krimet vijnë nga bandat e drogës për shkak të aksioneve të policisë. Një tjetër shef policie u vra të hënën, ndërsa dy policë të tjerë u gjetën të vrarë në një varrezë të dielën në Cuauhtemoc.

/Ora News.tv/