Viti 2018 vlerësohet ndër më problematikët në dekadën e fundit përsa i përket vonesës në fluturime. Linjat që operojnë me Italinë kanë pasur vonesat më të mëdha, ndërsa kompania me numër rekord vonesash dhe anulimesh është “Fly Ernest”. Autoriteti i Aviacionit Civil bën me dije se  gjatë këtij viti do të marrin kompensim 1.900 qytetarë për vonesat.

Qytetarët që kanë udhëtuar gjatë 2018 janë ndeshur me vonesa të shumta të fluturimeve në Aeroportin "Nënë Tereza".

Autoriteti i Aviacionit Civil në raportin e fundit thekson se viti që lamë pas konsiderohet si më problematiku në dekadën e fundit.

Shkaqet kryesore lidhen me mungesën e kapaciteteve, operimit dhe problemeve teknike apo grevat e shumta në veçanti të disa kompanive ajrore.

“Fly Ernest” vlerësohet  kompania më problematike për 2018, me numër rekord vonesash dhe anulime përkatësisht 72 vonesa, në shumë raste mbi 6 orë dhe 14 anulime.

Nisur nga këto vonesa, 2 mijë qytetarë kanë plotësuar formularë me anë të cilëve kërkojnë kompesim.

Sipas të dhënave të Autoritetit Civil, kompanitë kanë pranuar të kompensojnë 1200 pasagjerë, ndërsa 700 janë kompensuar  me 250 euro.

Kompania “Blue Panorama”, është kompania më korrekte përsa  i përket kompensimit të pasagjerëve me një shifër që shkon në 500 kompensime.

Ndërkohë problem mbetet kompania “Fly Ernest”, e cila pavarësisht se renditet si kompania më problematike për shkak të vonesave apo anulimit të fluturimeve, ka kryer vetëm 96 të tilla.

AAC i bën thirrje të  gjithë pasagjerëve që kanë plotësuar formularët e ankimimit dhe u  ka kaluar afati prej 6 javësh, që të rikontaktojnë përsëri kompanitë ajrore që kanë patur fluturimin për tu njohur me statusin e fluturimit të tyre.

Në rast se kompania nuk i kthen asnjë përgjigje, atëherë të kontaktojnë me sektorin e të Drejtave të Pasagjerit të Autoritetit të Aviacionit Civil.



/Ora News.tv/