Vokshi: Komisioneri për të dhënat personale na dha të drejtë, Manastirliu dhe Nikolla mashtruan

Vokshi: Komisioneri për të dhënat personale na dha të

Partia Demokratike deklaroi sot se Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka konfirmuar paligjshmërinë e mbledhjes së informacioneve private për rreth 80 përqind të votuesve nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Në një dalje për mediat, kryetarja e Komisionit të Medias Albana Vokshi publikoi përgjigjen e dytë zyrtare nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ashtu siç PD kishte ngritur shqetësimin, Hetimi i Komisionerit konfirmon denoncimin e PD, tha Vokshi, kur shprehet se “mbledhja e të dhënave dhe përditësimi i tyre nga Ministria e Shëndetësisë nuk mbështetet në asnjë bazë ligjore” pra asnjë akti ligjor apo nënligjor duke nxjerrë zbuluar mashtrimet e Ministreve Manastirliu dhe Nikolla.

"Në shkresën e parë, Komisioneri Urdhëronte pezullimin e menjëhershëm të të dhënave  nga Ministria e Arsimit. Në këtë shkresë, Rekomandim, Komisioneri vë në dijeni që pas kërkesës së PD-së, ka kryer edhe një hetim administrativ në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në Rekomandimin nr. 21 të datës 31 Maj, Komisioneri shprehet qartë se urdhri i Ministres Manastirliu që kërkon nga pacientët dhe administrata  “numrin personal të identifikimit” është në shkelje flagrante të ligjit  “Për mbrojtjen e të dhënave personale” shtoi deputetja.

PD ka dorëzuar edhe padinë penale në Prokurori për veprën penale "shpërdorim i detyrës" dhe "përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore", duke kërkuar pezullimin nga detyra të Ministreve Manastirliu dhe Nikolla, deri në hetimin e plotë nga ana e prokurorisë.

Partia Demokratike, fton edhe një herë të gjithë prindërit, mjekët, mësuesit, infermierët, punonjësit e administratës të refuzojnë dhënien e të dhënave personale Ministreve të Ramës, pasi qëllimi i vetëm i mbledhjes së tyre është keqpërdorimi.

Vokshi tha se Partia Demokratike është e vendosur ta ndjekë këtë çështje me të gjitha format institucionale si dhe do ta adresojë në institucionet përgjegjëse të BE për të frenuar këtë marrëzi me efekte jo vetëm elektorale por me shumë gjasa edhe kriminale.



EMISIONET