Vodafone shënon një tjetër arritje të rëndësishme në industrinë e komunikimeve elektronike në Shqipëri, duke prezantuar për herë të parë në vend eksperiencën e rrjetit Gigabit, rrjeti më i shpejtë i përjetuar deri më sot në tregun tonë.

Gjatë eventit të organizuar në zyrat qëndrore të Vodafone Albania, falë rrjetit Gigabit u realizua në kohë reale një udhëtim virtual në rrugën e Arbrit, një prej projekteve infrastrukturore në ndërtim.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri u ftua të ishte i pari për të provuar eksperiencën e rrjetit ultra të shpejtë Gigabit.

Gjiknuri: “Ky është një hap përpara për industrinë. Kjo përvojë mund të dëshmojë që koncesionet e rrugëve po punojnë. Ne si qeveri jemi plotësisht të gatshëm për të bashkëpunuar dhe për ta sjellë Shqipërinë në rrugën e re të rrjetit 5G, duke bërë që të gjitha përfitimet e biznesit dhe të individit të kenë qasje në risitë teknologjike ".

Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Achilleas Kanaris, tha se rrjeti Gigabit do të revolucionizojë tregun, përvojën e biznesit dhe klientit.

Kanaris: “Vodafone ofron kapacitetin, rrjetin global, ekspertizën, inovacionin dhe zgjidhjet e ndërlidhura për të përshpejtuar dhe mundësuar evolucionin dixhital. Vodafone po krijon shoqërinë e Gigabit në të gjitha tregjet ku operon, dhe Shqipëria është në të njëjtën udhë të investimeve dhe zhvillimit teknologjik sëbashku me tregjet e tjera të mëdha evropiane si Gjermania, Italia, Spanja etj. Rrjeti Gigabit, do të revolucionarizojë tregun, përvojën e biznesit dhe klientit. Ne e quajmë këtë revolucionin e ri industrial, ku fuqizimi ekonomik nëpërmjet risive teknologjike do të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si jetojmë”.

Vodafone Albania është e pranishme në tregun shqiptar që nga viti 2001, dhe deri më sot ka investuar mbi 1.4 miliard € në vend.

/Ora News.tv/