Reshjet me intensitet i shoqëruar me erëra ka krijuar vështirësi qarkullimi në rrugët e qytetit të Vlorës, duke shkaktuar edhe përmbytjen e një sërë akseve.

Një pjesë e rrugëve kalohet me mjaft vështirësi,ndërsa në disa zona të tjera në brendësi të lagjeve ka probleme me praninë e ujit në rrugë.

 Bulevardi kryesor i qytetit Vlorë-Skelë,rruga pranë portit, rruga pranë Lagjes 28 dhe 29 Nëntori, në lagjen "Kushtrimi", por edhe disa rrugë të tjera janë mjaft të vështira për tu kaluar nga drejtuesit e automjeteve, për shkak të pranisë së ujit.

Reshjet kanë nisur me intensitet gjatë mesditës për t'u shtuar në orët në vijim,duke rikthyer situatën e përmbytjeve. Ndërkohë, moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në portin e Vlorës, ndërsa prej paradites është pezulluar lundrimi detar.

Situata pritet të vijojë e tillë deri ditën e nesërme, ku mjetet lundruese nuk do të lejohen të dalin në det.

Ndërkohë, si pasojë e motit të keq, aksi rrugor Qafë Thanë-Elbasan ka probleme me lëvizjen e automjeteve.

Firma kontraktuese po punon për hapjen e rrugës. Në këtë zonë, qarkullimi i automjeteve këshillohet të bëhet me zinxhirë.

Në rrugën e Kombit, një kamion ka dalë nga rruga për shkak të pranisë së madhe të dëborës. Për pastrimin e dëborës janë përdorur tetë borëpastruese dhe kripë.

/Ora News.tv/