Vlahutin “mbyll” debatin për refugjatët dhe luftëtarët e ISIS: S’ka plane për kampe

Vlahutin “mbyll” debatin për refugjatët dhe

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, deklaroi nga Berati se nuk ka asnjë plan për ndërtimin e qendrave për emigrantë apo ish- luftëtarët e Shtetit Islamik në Shqipëri. E pyetur për këtë çështje në Berat, zëri i Brukselit në Tiranë, tha se debati ëstë ngritur mbi një keqinterpretim sipas saj të deklaratës së kryeministrit bullgar, Bojko Borisov, në Tiranë. Mbështetëse e hapur e çeljes së negociatave për Shqipërinë, Vlahutin tha se vendi ka punuar por tashmë vendimi është në dorën e 28 vendeve anëtare.

Romana Vlahutin, përfaqësuesja zyrtare e Brukselit në Tiranë ka shuar çdo dyshim për ngritjen në Shqipëri të kampeve për emigrantët klandestinë që synojnë vendet e BE sikurse edhe zërat për një kamp për trajtimin e luftëtarëve të Shtetit Islamik. 

Nga Berati, Ambasadorja tha se i gjithë debati është ngritur mbi një keqinterpretim sipas saj të deklaratës së kryeministrit bullgar, Bojko Borisov, në Tiranë.

Vlahutin: Jo, është tërësisht një keqintepretim i asaj që ka thënë në atë konferencë për shtypi kryeministri bullgar. Unë kam qenë aty e pranishme dhe mund të jua siguroj që është absolutisht një jo.

Ideja sipas Vlahutin është ajo e një qendre studimore, për të cilën është folur prej kohësh, ku mund të diskutohet dhë studiohet fenomeni tha Vlahutin, duke dhënë dy arsye pse Shqipëria mund të jetë vendi i duhur për këtë.

Vlahutin: Ka dy arsye pse është diskutuar kjo ide për qendrën, sepse e para Shqipëria ka nje model të mirë të harmonisë fetare, dhe arsyeja tjeter është se në Shqipëri është diskutuar prej kohësh lufta kundër estremizmit. Prandaj është mirë ngritja e një qendre të tille rajonale studimore për refugjatet që kthehen, në Shqipëri.

Mbështetëse e hapur e çeljes së negociatave për Shqipërinë, Vlahutin tha se vendi ka punuar por tashmë vendimi është në dorën e 28 vendeve anëtare.

Vlahutin: Do ta shohim në datën 28 qershor ajo cfarë do vendosin vendet e BE. Di të them që Shqipëria ka punuar fort, por kjo do të varet nga vendimi i 28 vendeve anëtare. Komisioni bëri atë që duhet të bënte, tha atë që duhet të thoshte, pra dha rekomandimin e pakushtëzuar pra ajo që është e rëndësishme është që të vazhdohet të punohet dhe më pas do të shohim çfarë do të thuhet nga vendet e BE se nuk dua ta paragjykoj këtë gjë para kohe.

Ambasadorja e BE e shoqëruar nga Ministri i Jashtëm dhe ajo e Shëndetësisë dhe përfaqësues të OKB e PNUD në Tiranë ishin në Berat në inaugurimin e disa projekteve në ndihmë të fëmijëve romë dhe gjithë qytetit.


EMISIONET