Për lexuesit shqiptar vjen e përkthyer në shqipe Antologjia e poezisë kuvajtiane e përkthyer nga ish-ambasadori i Shqipërisë në Kuvajt, Kujtim Morina. Antologjia është përgatitur nga dr. Haifa Al Sanousi, shkrimtare dhe psiko-terapiste, aktualisht pedagoge në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Kuvajtit dhe është botuar fillimisht nga Qendra për Kërkime dhe Studime e Kuvajtit. 

Antologjia në shqip është botuar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht ndërsa janë përfshirë poetët më të njohur kuvajtian të shekullit 20 dhe emra të njohur të kësaj poezie, si Fahad Al Askar, Ahmed Al Saqqaf, Ahmed Al Advani, Suad Al Sabah, Abdullah Al Otaibi, Abdulaziz Al Babtain, etj.

Botimi “Antologji e poezisë kuvajtiane”, ndihmon për një njohje të konsiderueshme të krijimtarisë së poetëve kuvajtianë. Këtu përfshihen poezi që pasqyrojnë realitetin që sundoi në Kuvajt gjatë viteve të paqes e të luftës.

 Ato janë dëshmi dhe produkt i kohës së tyre dhe shërbejnë si një pasqyrim i ideve individuale dhe kolektive dhe provojnë që fama e Kuvajtit nuk bazohet vetëm tek nafta. Ajo është tek mendimi, arti, letërsia dhe karakteristikat e tjera të qytetërimit bashkëkohor arabik.

Kjo antologji është botuar nga shtëpia botuese OMSCA-1 dhe kushton 700 lekë.

/Ora News.tv/