John Bolton do të jetë Këshilltari i Ri i Sigurisë Kombëtare në kabinetin e Donald Trump. Presidenti amerikan ka emëruar 69-vjeçarin për të zëvendësuar Gjeneralin Herbert McMaster, i shkarkuar nga detyra vetëm disa ditë më parë. John Bolton është një analist i Fox News, i njohur për qasjet e tij agresive.

Presidenti amerikan Donald Trump tronditi sërish ekipin e tij të politikës së jashtme të enjten, duke zëvendësuar Herbert Raymond McMaster si këshilltar të sigurisë kombëtare me John Bolton. 69-vjeçari republikan, ish-ambasador në Kombet e Bashkuara gjatë administratës së George W. Bush dhe analist në Fox News është i njohur për qasjet e tij agresive ndaj Koresë së Veriut dhe Iranit. Bolton është një figurë e njohur në Uashington për pikëpamjet e pandryshuara mbi shumë çështje globale.

Presidenti Donald Trump lajmëroi zëvendësimin përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, pak më shumë se një javë pas shkarkimit nga detyra të Rex Tillerson si sekretar i shtetit, përmes të njëjtit stil. Ndryshimi dëshmon se presidenti po ristrukturon kabinetin e tij me këshilltarë të cilët ndajnë pikëpamje të njëjta me të dhe që e fusin në rrjedhë më agresive politikën e tij të jashtme. Sipas lajmërimit të kreut të shtetit, Bolton do ta marrë detyrën e re më 9 prill, pa patur nevojën për t’u konfirmuar nga Senati amerikan.

69-vjeçari bëhet shefi i tretë i sigurisë kombëtare në administratën Trump. Bolton është shprehur entuziast për bashkëpunimin me presidentin dhe skuadrën e tij për t’i bërë Shtetet e Bashkuara më të sigurta dhe më të fuqishme. Është ende e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë emërimi i tij për samitin e ardhshëm mes presidentit Trump dhe liderit koreano-verior Kim Jong-un, parashikuar të zhvillohet në fund të muajit maj.

/Ora News.tv/