Video/ Vendime të dyshimta, Flamurtari "padit" gjyqtarët

Video/ Vendime të dyshimta, Flamurtari "padit" gjyqtarët

Në vitet e fundit Flamurtari është penalizuar rregullisht nga arbitrat dhe për ketë rrjedhojë klubi është larguar nga objektivat, madje ka rrezikuar edhe rënien nga kategoria.

Sigurisht drejtuesit dhe futbollistët nuk duhet të gjejnë fajtorin vetëm te gabimet arbitrare, pasi duhet të japin më tepër në fushë. Por kur arbitrat gabojnë shpesh dhe çuditërisht asnjëherë në favor të tyre ka diçka që nuk shkon. Për këtë klubi i Flamurtarit ka postuar në faqen zyrtare në "Facebook" një video ku tregon gabimet e arbitrave në dëm të kuqezinjve në ndeshjet e fundit.

"Pa koment po sjellim gabimet "njerëzore" nga arbitrat për ndeshjet e zhvilluara në fazën e dytë, Flamurtari-Teuta, Flamurtari-Luftëtari dhe Skënderbeu - Flamurtari"-shkruan klubi vlonjat duke thumbuar arbitrat që kanë drejtuar këto takime.

Në ndeshjen me Teutën zhvilluar në Vlorë, vendasve iu mohua goli i shënuar në minutat e fundit nga Torrasa me motivacionin se sulmuesi e preku topin me dorë. Si rrjedhojë goli u anulua dhe takimi u mbyll në barazim 1-1. Më pas në sfidën me Luftëtarin iu mohua një penallti në minutën e 10-të, ndërsa u akorduan edhe disa faulla kundër tyre. Ky takim u mbyll me rrjeta të paprekura.

Ndeshja e tretë e shfaqur në video është ajo mes Skënderbeut dhe Flamurtarit këtë fundjavë në Korçë. Bushiç kaloi në avantazh kuqezinjtë pas katër minutash lojë, por goli u anulua me pretendimin se e preku sferën me dorë. Ndeshja u mbyll me fitoren e Skënderbeut pas golit të Bregut pak para fundit, por në rast se goli i Bushiç nuk do të anulohej sfida do të kishte tjetër rrjedhë.

Minimalisht në këto 3 takime Flamurtari ka humbur 5 pikë. Aktualisht Flamurtari pozicionohet në vendin e 6-të me 19 pikë, ndërkohë që në rast se do merrnin edhe ato pikë do të ishin në vendin e tretë, pra brenda objektivave.


EMISIONET