Kanë rezultuar spektakolare takimet e vajtjes të fazës play-off të UEFA Europa League. Plot 49 gola kanë prodhuar 21 takimet e zhvilluara mbrëmjen e sotme, ku nuk munguan as surprizat.

Fitorja që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte ajo e Trabzonspor, me turqit që iu falën një forme fantastike të ish-sulmuesit të Partizanit, Caleb Ekuban për të mposhtur 3- 1 AEK-un. Sulmuesi ganez shënoi të tre golat e takimit për Trabzonspor, i cili në këtë takim aktivizoi edhe talentin e kombëtares së Kosovës, Dionis Avdijaj.

Fitore me shifra të njëjta, 3-1 regjistruan edhe ekipe si Kobenhagen, Espanyol dhe Wolves, që mposhtën respektivisht, Riga, Zorya e Torinon.

Hapa të mëdhenj drejt fazës së grupeve hodhën edhe Astana, Malmo, Feyenoord, PSV dhe Celtic. Në takimet tjera, Ararat-Armenia fitoi 2-1 ndaj Dudelange, Suduva barazoi me shifra të bardha, 0-0 me Ferencvaros, ashtu siç u mbyll edhe takimi mes Ludogorets-Maribor, Legia-Rangers dhe Steaua-Guimaraes.

Triumf minimal për Strasbourg që kaloi 1-0 Eintracht Frankfurt. Slovan Bratislava fitoi në limite, 1-0 ndaj PAOK, teksa Braga mposhti Spartakun e Moskës po 1 me 0. Takimet e kthimit luhen javën e ardhshme, aty ku do të mësohen edhe 24 skuadrat që do luajnë në fazën e grupeve të Europa League.


/Ora News.tv/