Feronikeli hedh një hap të sigurtë drejt fazave kualifikuese të UEFA Champions League. Kampionët e Ipko Superligës së Kosovës mposhtën minimalisht 1-0 Lincoln Red në gjysëmfinalen e preliminatoreve, duke prerë një biletë për finalen e këtij raundi.

Një gol i shënuar nga dhomat e zhveshjeve, me Mendurim Hotin që realizoi ende pa u kompletuar minuta e 3-të e takimit. Zbritja e shpejtë e futbollistëve të kampionëve shqiptarë rezultoi e suksesshme, ku Hoti doli i krejtësisht i vetëm dhe në hyrje të zonës lëshoi një goditje të kalibruar që përfundoi në rrjetë.

Konkretizim që qëndroi në fuqi deri në fund të takimit, pavarësisht tentativave nga të dy krahët. Në finalen e cila do të zhvillohet po në stadiumin "Fadil Vokrri" të Prishtinës, Feronikeli pret Santa Coloma, që pak orë më parë fitoi minimalisht 1-0 ndaj Tre Penne.


/Ora News.tv/