Kadri Veseli thotë se shumë shpejt qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në zonën Shengen.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet gjatë javës së ardhshme për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli shprehu bindjen se kjo marrëveshje do të votohet nga deputetët.

Veseli thotë se janë intensifikuar takimet me deputetët që gjatë kësaj jave të mbahet seancë që të votohet ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi.

‘Ka unitet, pavarësisht se ka pasur disa deklarime nga marrëveshja e fundit në mes të LDK-së dhe AAK-së. Unë besoj më shumë tek reflektimi që është te interesi i qytetarëve, Besoj te pjekuria politike e dy subjekteve dhe unë jam shumë i sigurt se brenda javës së ardhshme takimet të cilat do t’i kemi intensiv të gjithë bashkërisht do të tejkalojmë edhe një situatë të keqkuptimit. Ajo që është kryesore, mesazhi është ky: Jemi vonuar mjaft. Nuk është në interesin e qytetarëve që të vonohemi më tej”, tha Veseli për televizionin publik të Kosovës.

Kreu i Parlamentit beson se këtë javë votës pro demarkimit të kufirit do t’i bashkohen edhe deputetët nga Vetëvendosje.

/Ora News.tv/