Veseli: Kosova do t'u qëndrojë detyrimeve ndërkombëtare, përfshirë Specialen

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha të shtunën se Kosova do t'u qëndrojë detyrimeve ndërkombëtare deri në fund, përfshirë edhe Gjykatën e Posaçme për krime lufte.

Sipas një komunikatë të zyrës së zotit Veseli, zotimi i yij u bë gjatë një takimi me ambasadorin amerikan në Prishtinë Greg Delawie.

Në njoftim thuhet se zoti Veseli theksoi “nevojën e qëndrimit të përbashkët për çështjet me interes nacional. Kosova do t'u qëndrojë obligimeve te veta ndërkombëtare deri në fund, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara, do të ndjekë agjendën e integrimeve euroatlantike, dhe në këtë rrugëtim partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbetet primar”, thuhet në njoftim.

Me 22 dhjetor një grup prej 43 deputetësh hodhi nismën për të shfuqizuar ligjin mbi Gjykatën e Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Nisma nxiti reagime të ashpra të diplomacisë perëndimore.

Departamenti amerikan i shtetit u bëri thirrje "me forcë udhëheqësve aktualë të Kosovës dhe anëtarëve të Parlamentit që mos ta zhbëjnë atë arritje duke e prekur gjykatën tani ose në të ardhmen".

Ambasadat e pesë vendeve kryesore perëndimore në Kosovë paralajmëruan për pasojat e rënda që mund të ketë për vendin përpjekja për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme.

Berlini dhe Parisi dërguan një delegacion për të takuar përfaqësuesit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë për të diskutuar pasojat e një nisme të tillë.

Çështja është ende pezull, pasi që parlamenti i Kosovës ndodhet në pushim dimëror deri më 15 janar. Për të mërkurën më 17 janar është paralajmëruar mbledhja e kryesisë së parlamentit dhe ndër pikat e rendit të ditës është edhe nisma e deputetëve për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën e Posaçme.

Ideja për shfuqizimin e gjykatës pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet dhe plotësohet ligji për Gjykatën e Posaçme për krime lufte, të cilën ata e cilësojnë diskriminuese për Kosovën. /VOA/

EMISIONET