Grupi militant palestinez Hamas ka bërë thirrje për një kryengritje të re kundër Izraelit pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin hebre.

"Ne duhet të kërkojmë dhe duhet të punojmë për fillimin e një intifade përballë armikut sionist", tha kreu i Hamasit Ismail Haniyeh, në një fjalim në Gaza të enjten, raporton Reuters.

Udhëheqësit botërorë shprehën shqetësim serioz për vendimin që mund të çojë në destabilizimin e rajonit.

Protestat anti-SHBA shpërthyen pothuajse menjëherë pas deklaratës së Trump-it të mërkurën, ndërsa palestinezët ishin të parët që dolën në rrugë, duke bërë thirrje për tri ditë zemërim kundër vendimit.

Vendimi është mirëpritur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, i cili e falënderoi Trump dhe tha se ai beson se "shumë" vende të tjera do të ndjekin shembullin e njohjes së Jerusalemit si kryeqytetin e Izraelit.

Egjipti dhe Jordania thanë të mërkurën se refuzojnë vendimin e SHBA. Liga Arabe pritet të zhvillojë një takim urgjent të shtunën për të diskutuar zhvillimet, tha kreu i delegacionit palestinez.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se masa shpërfill rezolutën e OKB-së për statusin e vitit 1980, duke shtuar se "marrja e një hapi të tillë e hedh rajonin në një rreth zjarri". Arabia Saudite e quajti hapin "të papërgjegjshëm dhe të pajustifikuar".

Ndërkohë, Papa Françesku tha se nuk mund të "heshte" dhe foli për "ankthin e madh" të tij rreth vendimit, ndërsa BE shprehu "shqetësim serioz".

"Nuk mund të rri në heshtje për shqetësimin tim të thellë për situatën që po zhvillohet ditët e fundit”, tha Papa në auditorin e tij të përjavshëm në Vatikan.

"Jerusalemi është një qytet unik," shtoi ai, "i shenjtë për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët, ku respektohen vendet e shenjta për fetë përkatëse.

/Ora News.tv/