Veliaj: Zgjedhjet e 30 qershorit janë referendum, kush i prek dënohet me burg

Veliaj: Zgjedhjet e 30 qershorit janë referendum, kush i prek dënohet

Kandidati socialist për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i sigurt se zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen dhe se kushdo që do të tentojë të bëhet vegël qorre e partive të opozitës për të prishur zgjedhjet, do të përballet me ligjin dhe vendimin e SHBA dhe BE për të refuzuar hyrjen e tyre në vendet e Europës.

Veliaj: “Ligji është i qartë: kush bllokon rrugë, kush bllokon zgjedhjet, kush gris listat, do të shkojë në burg, do dënohet, e jo vetëm kaq, por për herë të parë SHBA dhe BE thonë: Do t’ju heqim vizat! Pyetja ime është: a ja vlen të shkatërrosh jetën e familjes tënde, për të rregulluar jetën e familjes së atyre që në fakt i kanë punë vaj? Ja vlen mos me dal kurrë nga Shqipëria, me fis e farefis, për sa kohë që shkon dhe bllokon zgjedhjet? Ja vlen të prishesh me komunitetin tënd, ku shumica e njerëzve mezi pret që pas 4 vitesh të japë mendimin e tij, votën, se si do të vazhdojnë punët në këtë vend”.

Gjatë takimit elektoral me banorët e Zall-Bastarit, Veliaj theksoi se është e palogjikshme dhe e paligjshme, që data e zgjedhjeve që është përcaktuar me dekret në bazë të Kushtetutës të kërkohet të shtyhet përtej afateve të caktuara.

Veliaj: “Jemi në kohë vere, është koha e korrjeve, imagjino dikujt t’i jetë bërë gruri ose misri për t’u korrur, a frutat për t’u vjelë, edhe thotë: po përtoj tani, a ta lej për nga Tetori, Nëntori se është një çik më freskët? Por, ka afat, duhet të bëhet tani. Çdo gjë ka afat në jetë, nuk mund të themi: ua sa shpejt ikën këto 4 vjet, a ta shtyjmë, t’i çojmë 5 vjet zgjedhjet? Nuk funksionon kështu, ka një kontratë, ka një marrëveshje, është lënë me date, me afat”.

Veliaj u shpreh se Tirana do që të marrë shërbimet edhe pas 30 qershorit.

Veliaj: “Unë si kryetar bashkie më hanë duart për punë, po duhet të konfirmohem edhe njëherë, se nuk mund të punoj mbas njëfarë date, se është shkelje. Tirana do të vazhdojë jetën edhe më datë 1 Korrik, ka nevojë për pastrim. Me rrugën e re vijnë edhe shërbimet e pastrimit në Zall-Bastar, siç janë në çdo lagje të Tiranës. Po ka afat. Duam s’duam ne, do lindin fëmijë në datën 1 Korrik, ka afat për të nxjerrë certifikatat, për të dhënë çekun e bebes; duam s’duam ne, do celebrohen familje edhe në datën 1 Korrik, madje në fakt shumica celebrohen në Korrik, por ka afat, unë s’firmos dot celebrime në qoftë se nuk jam kryetar i bashkisë, edhe më ka skaduar afati. Si për gëzime si për hidhërime, si për pastrime, si për gjelbërime, ka një afat, ajo është data 30 Qershor”.

Kryebashkiaku shtoi se pala tjetër ka zgjedhur vetë të mos konkurrojë dhe kjo nuk i bën zgjedhjet jo demokratike. Ai u shpreh se në garë në Tiranë ka edhe kandidat tjetër dhe 41 forca të tjera politike.

Veliaj: “Fakti që jam numri 2, do të thotë që është edhe njëri me numrin 1, fakti që partia jonë është numri 30, do të thotë që janë edhe 30 parti të tjera të paktën, se në fakt në total janë 42. Do të thotë që në qoftë se disa parti nuk vijnë në fushën e betejës, nuk do të thotë se do lemë lojën. Edhe për një ndeshje futbolli, kush nuk vjen në fushë, fiton pala tjetër; edhe në një takim, kush nuk paraqitet për një intervistë, fiton ai që paraqitet. Për të gjitha këto arsye, të gjithë bashkë do të zbresim në fushë në datën 30, në fushën e kutive të votimit masivisht”.

Ndaj, theksoi ai, zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë vetëm një mundësi për të zgjedhur kryetarin e Bashkisë së Tiranës, por janë një referendum nëse vendi do kthehet prapa apo do eci para drejt BE-së.

Veliaj: “Miqtë e mi, data 30 Qershor nuk janë vetëm zgjedhjet në Bashkinë e madhe të Tiranës. Në datë 30 Qershor ne kemi referendum, nëse duam të qajmë hallet e këtyre që bota ua ka hequr vizën, apo duam të qajmë hallet e familjeve tona. I kanë hequr vizën Saliut, i kanë hequr vizën Tit Vasilit. A ka njeri, ma thoni ju, në Zall-Bastar që nuk e zë gjumi rehat për këtë punë? A ka ndonjë njeri që çohet në mëngjes dhe i thotë gruas: Sa keq kam fjetur, si more s’i kanë dhënë vizën Saliut? Do rri Las Vegasi pa Saliun, Nju Jorku pa Saliun, Ëashingtoni pa Saliun, Florida pa Saliun? Ndaj, koha ka ardhur për të vrarë mendjen për hallet tona. Madje, unë kam një propozim tjetër: ashtu si Amerika i ka hequr vizën Saliut dhe Titit, ashtu si po ua heq edhe këtyre të tjerëve të dhunshmëve, unë them se në datë 30 Qershor ka ardhur koha të bëhemi si Amerika, t’i heqim ne vizën atyre dhe t’u themi rruga e mbarë në pension, vazhdo me prostatën, vazhdo me protestat, por ne do të vazhdojmë me Shqipërinë, me Zall-Bastarin, me Tiranën me gjithë punët që na presin.”

Më tej, kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se meraku i vërtetë i opozitës nuk janë as zgjedhjet dhe as hallet e njerëzve, por frika nga drejtësia që po vjen.

Veliaj: “Frikën se kanë në datë 30 për Tiranën se Tiranën ata s’e marrin kurrë, e kanë se do të shkojnë përpara drejtësisë për një drejtësi që më në fund do ta marrin."

EMISIONET