Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se referendumi i javës së ardhshme në Maqedoni është një sfidë kombëtare shumë e rëndësishme jo vetëm për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, por edhe për rajonin. Gjatë një takimi që Veliaj pati me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi  theksoi se është e domosdoshme, jo vetëm vota pro, por edhe pjesëmarrja e madhe në votime.

Veliaj: Sfida për referendumin e datës 30 shtator është një sfidë kombëtare edhe për ne. Do të thotë: jemi aksionerë të së kaluarës apo aksionerë të së ardhmes? Nëse jemi aksionerë të së ardhmes, duhet me dalë në votim, duhet me u numëru ditën që numërohet vullneti ynë. Besoj se ky është një shans historik, jo vetëm për shtetin maqedonas, por edhe për gjithë bashkëkombësit shqiptarë në Maqedoni, për të qenë të pranishëm aty ku vendoset e ardhmja.

Ai i bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë në Maqedoni që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’i dhënë Maqedonisë shansin që të tregojë vlerat e saj perëndimore. 

Veliaj: Ky është një shans historik dhe dua t’i bëj një thirrje të gjithë qytetarëve, jo vetëm atyre të Tetovës, por në të gjitha komunat ku ka qytetarë shqiptarë, që në këtë mision dhe në këtë thirrje historike të jemi prezentë; në datën 30 shtator të themi “Po”, bashkë me Shqipërinë, duam të anëtarësohemi në BE, ta bëjmë së bashku këtë udhëtim, që të arrijmë së bashku në destinacion. Jam i bindur se shqiptari sa herë ka patur thirrje për të qenë në anën e duhur të historisë, i është përgjigjur kësaj thirrje, dhe mezi pres që në datën 30 shtator ne shqiptarët të dalim faqebardhë dhe të themi jo veçse me fjalë, por edhe me vepra se jemi pro Europës, pro zhvillimit.

Nga ana e saj Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e konsideroi referendumin e datës 30 shtator si një mundësi të jashtëzakonshme që i jepet qytetarëve të Maqedonisë për të vendosur për ardhmërinë e vendit të tyre drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian. 

Arifi:  Është shumë e rëndësishme që më 30 shtator ky referendum të ketë sukses, e në të njëjtën kohë, të vazhdojë procesi i aderimit të Maqedonisë në NATO dhe i hapjes së negociatave, të cilat bashkë me Shqipërinë, janë përcaktuar të jenë verën e ardhshme, që përfundimisht vendet tona të kenë atë ardhmëri që qytetarët tanë të jenë qytetarë të Bashkimit Europian.

/Ora News.tv/