Violinisti shqiptar me famë botërore Olen Çezari dhe grupi i tij “International Clandestine Orchestra” sollën dje në mbrëmje për publikun kryeqytetas magjinë e tingujve të instrumenteve nga e gjithë bota, e cila do të ripërsëritet sot në një tjetër natë fantastike. 

Një pjesë e “ushtrisë” së muzikantëve dhe teknikëve që bënë të mundur këtë spektakël, u pritën sot në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i falenderoi ata që zgjodhën edhe Tiranën si stacion të turit të tyre muzikor. 

Ai theksoi se grupi dhe muzika që interpretua në skenën e Pallatit të Kongreseve përfaqëson më së miri atë që është sot Tirana, një qytet ku jetojnë shumë kombësi të ndryshme.

Veliaj: “Miku, vëllai ynë, Oleni solli një “minikombe të bashkuara” në Tiranë, çka në fakt përputhet me atë që është sot Tirana. Jam i lumtur jo vetëm për koncertin mbrëmë, por se aty pashë “tironsa” me origjinë nga Kina, nga Argjentina, nga Italia apo edhe nga shumë vende të tjera, kubanezë, të cilët u ndjenë jo vetëm pjesë e një qyteti kozmopolitan, por edhe ajo që pamë në skenë, falë talentit të Olenit, ishte një mozaik i “kombeve të bashkuara” të Tiranës”.

Ai vlerësoi talentin e Olen Çezarit, duke theksuar se është një nga emrat më përfaqësues dhe që bën të ndihet mirë çdo shqiptar në botë. 

Veliaj: “Unë jam shumë krenar për ty dhe them se flas në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, që tek ty shohin realisht më të mirën tonë. Ne kemi nevojë për më shumë dashuri, për më shumë mirësi, kemi nevojë të jemi disi më të përulur me njëri-tjetrin, por kur e shohim të materializuar tek ty dhe skuadra jote, e shohim si një mision të mundur. Ne mund të jemi më të mirë dhe të falënderoj për të gjithë mirësinë dhe dashurinë që na solle në Tiranë”.

Kryebashkiaku i Tiranës ftoi qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë që u ofrohet ta ndjekin nga afër natën e dytë të koncertit të Olen Çezarit dhe grupit që e shoqëron atë. 

Veliaj: “Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, ata që kanë mundësi, që në minutë të fundit t’i bashkohen sot koncertit në Pallatin e Kongreseve; do të ndiejnë një krenari, jo vetëm të të qënit shqiptar, por të të qenit shqiptar kozmopolitan dhe kjo falë talentit të Olenit. Jam shumë i lumtur që edhe Bashkia e Tiranës ishte pjesë e asaj pakete dashamirësish që e duan të mirën tënde; por, kur duan të mirën tënde duan dhe të mirën e një produkti “made in Albania”, që është sot një nga produktet më të mira në botë”.

/Ora News.tv/