Veliaj: Ndotësit më të mëdhenj të ajrit automjetet, më 5 maj dita pa makina

Veliaj: Ndotësit më të mëdhenj të ajrit automjetet,

Ndotësit kryesorë të ajrit të Tiranës janë makinat. Faktin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një takimi të organizuar nga ambasada hungareze për promovimin e teknologjisë në mirëmenaxhimin e qyteteve. 

Duke iu referuar pikërisht mundësisë që ofron tashmë aplikacioni “Tirana Ime”, për matjen e nivelit të ndotjes së ajrit në Tiranë, (aktualisht përditësimi funksionon vetëm për Android dhe së shpejti do jetë edhe për sistemin iOS) ai bëri publike disa të dhëna, të cilat tregojnë se në vendet me qarkullim më të madh dhe në pikun e trafikut, niveli i ndotjes së ajrit nga grimcat e dëmshme që lëshojnë ato, është më i lartë se zakonisht.

Veliaj tha se nga matjet që janë bërë nëpërmjet matësve të rinj të ndotjes në orët e para të ditës, ka rezultuar një nivel më i ulët grimcash të dëmshme se sa në momentin kur ka një qarkullim të shtuar të automjeteve.

Veliaj: “Kemi katër aparatura të vendosura në shtyllat kryesore të katër shesheve dhe kryqëzimeve kryesore në Tiranë, të cilat na ndihmojnë në vendimmarrje. Mënyra se si vendosëm se kur do të jetë dita e ardhshme pa makina në Tiranë është pikërisht përmes të dhënave të aplikacionit: Nëse shikojmë të dhënat për sheshin “Skënderbej”, monoksidi i karbonit është shumë i ulët, po ashtu edhe dioksidi i squfurit; ky është një lajm i mirë. Kurse, dioksidi i azotit është në nivel mesatar krahasuar me Bashkimin Evropian, që do të thotë sërish një lajm i mirë. Po ashtu edhe ozoni është në nivel të ulët. Ama, grimcat PM 2.5 dhe PM10, të cilat emetohen nga makinat që përdorim çdo ditë, janë në nivele të mesme. Nëse matjet i bëjmë në orën 8 të mëngjesit kur dalim nga shtëpitë dhe në 5 pasdite, kur kthehemi në shtëpi, këto shifra, sidomos dy të fundit, që janë grimcat që dalin nga marmita e makinës, janë më të larta”.

Prandaj, nisur nga të dhënat që ofron aplikacioni “Tirana Ime”, kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës do të ndjekë ato politika mjedisore që nxisin sa më pak lëvizje me makina. Kjo është arsyeja pse në Tiranë do të shtohen edhe ditët pa makina, duke filluar nga 5 Maji.

Veliaj: “Kjo na ndihmon në vendimmarrje dhe kjo është arsyeja pse duam që çdo muaj të kemi një ditë pa makina. Dita e ardhshme pa makina, pas Ditës së Verës, do të jetë 5 Maji. Është e diel, qëllon që është Dita e Dëshmorëve, është një mundësi fantastike për të lënë makinat, për të nderuar ata që luftuan për këtë vend, por edhe për t’i dhënë kohë Tiranës të ventilohet. Sepse qyteti është si shtëpia: nëse ka njerëz që kanë ngrënë, kanë pirë, kanë fjetur, kanë kryer nevojat personale, duhet të hapësh dritaret, që shtëpia të ajroset. Duke e trajtuar qytetin si një shtëpi, me konceptet smart city, kemi nevojë të caktojmë ditët që do ajrosim shtëpinë”.

Në fund, ai dha lajmin e mirë të nisjes së transformimit të flotës së autobusëve elektrikë, që do të qarkullojnë në rrugët e kryeqytetit. “Sapo kemi bërë porosinë për dy autobusë elektrikë që prodhohen në Hungari, për të ardhur në Tiranë.

Do ta fillojmë transformimin e flotës dy e nga dy”, tha Veliaj, teksa theksoi se falë mirëmenaxhimit, është arritur edhe mbledhja e pagesave të ujit, çka e ka kthyer UKT-në në një ndërmarrje efiçente.

EMISIONET