Shtyhet konventa e LSI-së për në datat 27-28 tetor. Ajo ishte parashikur që të mbahej në fund të muajit shtator,por pas një kërkësë të LRI dhe LGI ajo u vendos të shtyhej me një muaj. Nënkryetari LSI-së Petrit Vasili e dha këtë lajm nga Jala në një takim me të rinjtë e Fierit, ku pohoi se këto dy forume të partisë kërkuan më shumë kohë për të organizuar përfaqësimin e tyre në konventë. "Ju e dini që ka një vendim të rëndësishëm të Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim për mbajtjen e Konventës Kombëtare të saj në fund të shtatorit. Por, ju e di që për herë të parë, dhe kjo është një risi në politikën shqiptare, ne kemi aplikuar një skemë përfaqësimi politik të Lëvizjes Rinore për Integrim por edhe të Lëvizjes së Gruas për Integrim më të gjerën që ka aplikuar ndonjëherë politika shqiptare në 20 vitet e saj të pluralizmit. Kjo risi është e rëndësishme por njëkohësisht kërkon edhe një punë shumë të madhe dhe organizim të përsosur të të gjitha elementeve të saj” tha Vasili. Sipas Vasilit kjo periudhë prej një muaji do të sjellë përfaqësim dinjitoz për të rinjtë dhe gratë në konventën e fund tetorit. Në këtë konventë do të zgjidhen drejtuesit më të rinj të forumeve të LSI-së.

/Ora News.tv/