Nëse mendoni se shoqëria shqiptare ka përqafuar mentalitetin e vendeve të zhvilluara, siç ka bërë për shembull me teknologjinë dhe përdorimin e rrjeteve sociale, gaboheni.

Një studim i organizatës 'Together for life' dhe i Ambasadës holandeze dëshmon se familjet shqiptare janë ende peng i mentalitetit ku djali është më i rëndësishëm se vajzat e për rrjedhojë zgjedhin abortiv selektiv si një mënyrë për të trashëguar mbiemrin, pronat etj.

Djali:"Mendoj se shqiptarët në përgjithësi duan më shumë djem sesa vajza. Ky selektivitet besoj se është për shkak se kushdo  në një familje do të donte që t'ia linte trashëgiminë një djali më shumë sesa një vajze".

Vajza: "Unë mendoj që edhe vajza duhet të marrë trashëgiminë sepse janë njëlloj fëmijët, si mashkulli dhe vajza. Mentaliteti shqiptar është që trashëgiminë do ta marrë djali sepse vajzën e merr tjetri dhe nuk duan t'ia dinë fare".

Nga opinionet e të rinjve në këtë fokus grup që na u mundësua të merrnim pjesë kuptohet dhe rezultati i përfundimeve të studimit që nxjerr në pah dëshirën e prindërve shqiptarë për djalë më shumë se sa për të pasur vajzë.

Aborti selektiv me bazë gjinore mbetet një realitet për shumë familje që kanë si argument faktin se një ditë vajzat martohen dhe do të shkojnë për të jetuar tek shtëpia e bashkëshortit.

Studimi zbulon se mbi 60% e mjekëve gjinekologë e pranojnë ekzistencën e fenomenit të abortit selektiv.

Statistikat i janë referuar lindjeve të seksit mashkull, dhe rezulton se në rrethet rrethet Devoll, Korçë, Gjirokastër, Pogradec, Tepelenë dhe Tropojë paraqesin një raport gjinor në nivel 110-115 djem/1000 vajza , ndërsa Mirdita ka nivel mbi 118/ 100 vajza.

Aborti selektiv, ndodh më shumë në zonat veriore.

Vajza: "Mendoj që në vendin tim kanë më shumë përshtypjen që të kenë djem, janë më të apasionuar pas djemve të gjithë dhe më pak tek vajzat por mendoj që kjo duhet të jetë një barazi. Mendoj që edhe ata duhet të ndërrojnë mentalitet dhe të jenë të barabartë si vajza dhe djali".

Shqetësim serioz mbetet edhe ndërprerja e shtatzanisë pas kohës së lejuar që nuk është vetëm e jashtëligjshme por edhe e rrezikshme për shëndetin e nënës.

Sipas ligjit në fuqi, aborti lejohet deri në 12 javët e para të shtatëzanisë, ndërsa klinikat private vijojnë jashtë kontrollit të kryejnë aborte.

 

Alm Kordini: Aborti selektiv është shumë i fshehtë dhe një nga arsyet pse ne zgjodhëm të hulumtojmë këtë fenomen në Shqipëri për pesë vitet e fundit është pikërisht kjo. Është i paligjshëm në një moshë të caktuar, atëherë kur kuptohet gjinia e fetusit. Bëhet përgjithësisht në vende të fshehura dhe jo në maternitete apo spitale publike.

Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2016 në rang vendi janë regjistruar 5400 aborte, 2689 më pak se numri i raportuar në vitin 2010.

Numri total i skedave të plotësuara të abortit ishte 4300 duke përfaqësuar 79,7% të gjithë aborteve të raportuara zyrtarisht nga sistemi i survejancës.

/Ora News.tv/