Në 79 faqet e kësaj aktakuze përshkruhen të pandehurit, organizata që Prokuroria pretendon se ata i takonin, struktura, nofkat e anëtarëve të dyshuar e rolet e tyre.

Hiç më pak se 79 faqe aktakuzë i janë dashur prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, për të përshkruar pretendimet e Prokurorisë ndaj të dyshuarve për pjesëtarë të një organizate e cila synonte të vriste disa figura politike të periudhave të ndryshme historike të Kosovës, të cilët i cilësonte “tradhtarë”.

Në 79 faqet e kësaj aktakuze përshkruhen të pandehurit, organizata që Prokuroria pretendon se ata i takonin, struktura e kësaj organizate, nofkat e anëtarëve të dyshuar, rolet e tyre, mënyrë e financimit të organizatës, synimet, lista e personaliteteve të etiketuar si tradhtarë, koha e fillimit të aksioneve dhe radhitja për t’u likuiduar.

Në listën për likuidim të organizatës që sipas Prokurorisë kishte shtrirje përpos në Kosovë edhe në Zvicër, Austri e Gjermani, bënin pjesë duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës nga 1980 e deri më 1991 e po ashtu edhe funksionarët nga viti 1999 e deri më 2016, duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrin Isa Mustafa, pastaj Hajredin Kuçin, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj e duke vazhduar me komandantët e luftës së UÇK-së, të cilët, sipas tyre, e kanë tradhtuar vendin.

Në listën e “Syrit të Popullit”, sipas aktakuzës, ishin edhe ish-kryeprokurorët e Prishtinës-Kosovës, kryetarët e Këshillave Gjyqësorë të pasluftës, kryetarët e Gjykatës së Prishtinës së pasluftës, drejtori i Doganave, drejtori i ATK-së, klerikët fetarë, analistët dhe publicistët të cilët veprojnë e të cilët sipas të pandehurve e kanë tradhtuar vendin.

Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirija Luzha janë pjesë e aktakuzës që i ngarkon për përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Murat Jashari po ashtu akuzohet për veprën penale të hakmarrjes lidhur me plagosjen e Azem Vllasit më 12 mars të vitit të kaluar.

Në aktakuzën e saj, Prokuroria ka propozuar që të administrohen hiç më pak se 61 deklarata të dëshmitarëve lidhur me këtë rast ndërsa ka propozuar të dëgjohen 45 dëshmitarë.

Gjithë veprimtaria e grupit sipas Prokurorisë filloi me një vendim të marrë më datë 15 maj 2015 sipas të cilët anëtarët e “Syrit të Popullit” me të ashtuquajturit “Avni Rrustema” diku në një shtet europian kishin marrë vendim që marsi i vitit 2017 të shënonte fillimin e aksioneve të kundërligjshme me qëllim të destabilizimit ose shkatërrimit të strukturave themelore politike, kushtetuese dhe ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës.

Për të arritur gjithë këto plane kriminale, sipas Prokurorisë organizata “Syri i Popullit” kishte një strukturë që kishte edhe fondin e quajtur “Liria e Atdheut” ndërsa siç përshkruhet në aktakuzë organizata ka pasur edhe një strukturë të organizuar të hierarkisë të cilët janë përfshirë me emra të koduar dhe secili ka pasur të ndara detyrat dhe përgjegjësitë e veta.

Po ashtu, aktakuza e Prokurorisë përshkruan një kallëzim penal sipas të cilët disa ish-anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës që kanë vepruar në shtetet perëndimore 1980-2000 kishin formuar një organizatë të cilën e kishin emëruar “Lëvizja për Ribashkim Kombëtar”.

Në kallëzimin e përshkruar më tej në aktakuzën e Prokurorisë përshkruhet se si anëtarët e organizatës “Syri i Popullit” kanë krijuar fondin e financimit “Liria e Atdheut”, kanë krijuar Këshillin Qendror, Këshillin Kombëtar, vulat e Këshillave për organizatën “Syri i Popullit”, vula për fondin “Liria e Atdheut” dhe vulën për fondacionin Humanitar Gjithëkombëtar “Atdheu”, e cila do të merrej me punë operative të organizatës.

Struktura e “Syrit të Popullit”

Katër kartela USB të konfiskuara sipas aktakuzës nga Murat Jashari dhe të evidentuara në aktakuzë si “Dëshmia C” rezultuan për Prokurorinë materiale shumë interesante.

Sipas aktakuzës, pas ekzaminimit nga Laboratori i Krim Teknikës dhe raportimet e Policisë, vërtetohet se këto dëshmi përmbanin të dhëna për organizatën kriminale “Syri i Popullit”, me strukturën e saj përbërëse si operativën, financat, betimin, rregulloren, komunikatat, aksionet e planifikuara për vrasjen e personave zyrtarë në Republikën e Kosovës, Maqedonisë, Preshevës dhe Shqipërisë.

Nga dokumentacioni i shfletuar, sipas aktakuzës shihet struktura e “Syrit të Popullit” si në vijim: Lëvizja “Syri i Popullit” është organizatë ilegale që do t’i përcjellë subjektet politike dhe jopolitike, pushtetet qendrore dhe lokale dhe klerikët etj. në gjithë hapësirën shqiptare.

Lëvizja “Syri i Popullit”, sipas aktakuzës, ka Shtabin Qendror prej 12 anëtarëve nga gjithë hapësirat shqiptare.

Në aktakuzë përshkruhet se përgjegjës i SHQ është “Sakati” (sipas aktakuzës ishte Murat Jashari) dhe zëdhënës “Besniku” (sipas aktakuzës është Sadri Ramabaja).

Përgjegjës i Grupit Politik – “Besniku” dhe zëvendësit prej 7 vetëve, sipas aktakuzës grupi politik përgatit komunikatat dhe sipas nevojës edhe reagimet.

Në aktakuzë përshkruhet se organizata kishte edhe përgjegjësin për Zbulim-Kundërzbulim e që ishte “Flamuri” dhe zv. i tij që ishte “Shqiponja”.

Përgjegjësi i Operativës sipas aktakuzës ishte “Gergji”, ndërsa zëvendës “Bardhi”.

Po ashtu, sipas aktakuzës, përgjegjës i financave ishte “Enver” (i pandehuri Murat Jashari) e zëvendës i tij “Xheva” (e pandehura Lirije Luzha), përshkruan aktakuza./kallxo.com

/Ora News.tv/