Urgjenca dhe Pediatria e Lezhës janë përballuar me fluks të lartë pacientësh gjatë muajve të sezonit turistik. Me vetëm 12 shtretër, Pediatria ka shënuar deri në 100 vizita në ditë. Ndërsa mjekët e Urgjencës theksojnë nevojën e rimodelimit të funksionimit gjatë verës, pasi numri i pacientëve shtohet ndjeshëm.

Me vetëm 12 shtretër, në Pediatrinë e Spitalit të Lezhës thonë se kanë përballuar deri në 100 vizita në ditë.

Virozat e stinës dhe problematikat që krijohen nga temperaturat e larta dhe plazhi kanë dominuar gjatë gushtit, theksojnë mjekët pediatër.

Bardhok Gjoka: 60-70, ka pas raste deri në 100 vizita në urgjencën e Pediatrisë. Temperaturat e larta, shtimi i popullatës me emigrantët dhe pjesa turistike me qytetarët nga Kosova në plazhin e Tales dhe Shëngjinit.

Me fluks të lartë është përballur edhe urgjenca.

Sezoni turistik disafishon numrin e banorëve të Lezhës dhe për pasojë edhe numrin e atyre që kanë nevojë për shërbime mjekësore.

Mjeku infeksionit, Martin Marku, thotë se përballimi i situatave të krijuara ka qenë i vështirë ndaj thotë se ka nevojë për rimodelim të funksionimit të urgjencës për sezonin turistik.

Martin Marku: Duhet të ketë kapacitet më të madh shtretërish, mendoj se duhet bërë një rimodelim për urgjencën e spitalit të Lezhës, sidomos për periudhën e verës ka një tejmbushje të urgjencës.

Fundi i sezonit sipas mjekëve shënon edhe rënien e fluksit ndërsa situata i kthehet normalitetit.

/Ora News.tv/