Udhëtim

Udhëtim

Kisha kohë që rrugëtoja, kur në një shenjë vendi zura udhës një plak. Ec e ec, me ne bashkohet një djalë i ri. Pas një copë here, i them këtij djalit:

- S’po e shoh më plakun.

- Përpara do të jetë, - më përgjigjet me mendjen në hava.

- Të kishte çalltisur përpara, do të ma kapte syri, - i them.

- Po kjo merret vesh, - qesh ai, - plaku u lodh dhe mbeti mbrapa.

Çfarë bën pastaj ky djali? Pastaj më jep zemër mua:

- T’u grahim këmbëve, babëlok.

Në udhë e sipër na arrin një tren. Makinisti e ngadalëson lokomotivën dhe nxjerr kryet në dritare, si për të na pyetur: “Vini me mua?” Pastaj s’e shohim më, ai del nga tymi, ne shkojmë nëpër mjegull.

Ec e ec, hasim një varr. E pyes atë djalin:

- I kujt është?

- I plakut, - gjegjet.

- Po plakun e lamë mbrapa, - i them.

- Çfarë lëmë mbrapa, e gjejmë dhe përpara, - thotë ai.

Në udhë e sipër, na arrin një varkë me helikë. Varkëtari ngadalëson shpejtësinë dhe kthen kokën, si për të na pyetur: “Vini me mua?” Pastaj ia shton shpejtësinë motorit, ai del nga mjegulla, ne shkojmë nëpër tym.

Sa më shumë ecim, aq më tepër i ndërron pamja bashkudhëtarit tim. Faqet i kanë vënë gropa, koka po i shflokohet. E vështroj me bisht të syrit dhe i them se ka ndryshuar.

- Veten nuk e shoh, - pranon, - por ti je pasqyra ime.

- Ç’hall të mundon?

- Një hall i madh, - thotë, - kanë kaluar shumë vjet e s’po arrij ta zgjidh. A mos e di, rastësisht, ku mbaron shamata?

Ngurroj të flas, kurse ai nis të ftillohet.

- Kam një makinë e një karrocë, ndërsa me të hollat e kursyera është krejt e mundur që të bëhen tri. Por nuk po biem në një mendje me tim bir: të bëhemi me dy karroca dhe një makinë, apo me dy makina dhe një karrocë.

- Naforën e kishës e ndan prifti, kurse llogarinë kalemi, - i them shkoqur. - I ke pyetur ustallarët e financave?

- I kam pyetur, - thotë, - por këtu është e keqja. Edhe ata vetë habiten, sepse ngado ta sjellësh, hesapi u del hesap. Furgoni merret me rrugët e gjata, karroca me mallrat e tezgave. Fitimi është i barabartë sa nga furgoni, sa nga karroca. Veçse shpenzimet ndryshojnë: karrocieri paguhet sa gjysma e shoferit, kuajt hanë sa gjysma e karburantit. Prapë po të lutem, e di ku mbaron shamata?

- Për shamatën unë vetë një gjë di, ruhu përpara se ta fillosh, - i kujtoj.

- E kam filluar, - ankohet, duke kruar rrashtën. 

Në gishtërinj i mbesin ca qime, që i merr era, ndoshta flokët e fundit. Çka bëj unë ahere? Ahere kthehem dhe, siç më kishte dhënë, ashtu i jap zemër:

- Mos u mërzit, edhe ti je pasqyra ime. Mua po më hollohet lëkura e shtatit.

- Shëndoshë shualli i këpucëve, - thotë ai.

Erru natë e zbardhu ditë, ne prapëseprapë në rrugë. Andej ka sallgama, shtylla elektriku dhe, në dherat e kanaleve, ka zhardhokë. Janë zhardhokë të mëdhenj, si krena njerëzish.

Ec e ec, në një çeltinë dikur shohim një varr. Pyes atë tjetrin:

- I kujt është?

- I plakut, - thotë njëlloj.

- Me një mijë dreqër, - më hipin xhindet mua, - po si kështu, ne varrin e plakut e lamë mbrapa?!

- Po plaku tashmë je ti, - thotë ai. - Çfarë gjejmë përpara, e kemi lënë edhe mbrapa.

Më kërkon të përshëndetemi dhe kapërcen kanalin. Muzgu ka rënë, shndrit një hënë e vocërr sa bebja e syrit dhe mua më vjen keq për atë qyqarin, se nuk kam më gjunjë që ta përcjell. Por që nga rruga, bitis zëri i tij. Dikush e ka arritur, me dikë po hahet në pazar. Më në fund, e shpall vendimin me brohorima:

- Haa-hyyy! I bëra tri, pra!

Ca hingëllima të mprehta dhe një gërvimë rrotash në asfalt, hyjnë në dyzen me ngazëllimin e tij.

Ndërsa unë, teksa fundosem në dherat që çahen dhe më përpin errësira, kujtohem se i biri do të trashëgojë një furgon e dy karroca, madje me njërën prej tyre, karrocën që sapo ka futur në dorë, i ati po vazhdon udhëtimin atje sipër.

EMISIONET